Lajme

26 raste të reja në Tiranë, 12 prej tyre mjekë dhe infermierë në QSUT

Gjatë 24 orëve të fundit janë shtuar 26 raste të reja  me koronavirusin e ri, vetëm në qytetin e Tiranës.  Mjekja Rovena Daja, ka deklaruar se  në varësi të hetimit epidemiologjik janë testuar 73 personel shëndetësor në QSUT në ta cilët 12 kanë rezultuar pozitive.

Për sa i përket infektimit të personelit shëndetësor, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, ka shpjeguar gjatë mbrëmjes së djeshme se  infermieres i është rekomanduar të izolohet, por nuk ka zbatuar këshillën.

“Ka qenë papërgjegjshmëri e një individi. Nuk e dimë ku e ka marrë infeksionin. Ka shfaqur shenja të Covid-it. Ndërkohë po hetohet rasti se ku mund ta ketë marrë. Personeli mjekësor nuk duhet të humbas vigjilencën”, u shpreh në emisionin “Open” mjeku Pëllumb Pipero.

Ndërkohë, për rastin e infermieres nuk ka reagim nga Ministria e Shëndetësisë.

“Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit janë të shëruar 11 qytetarë, duke e çuar në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1076. Prej tyre, mbi 76% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë,” deklaroi Daja.

Mjekja i ka bërë thirrje përsëri qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojë distancimin fizik dhe higjienën personale. Daja u shpreh se nëse keni simptoma të sëmundjes, telefononi në numrin 127, ndërsa për këshillim psikologjik ose informacion të telefonojnë në numrin 0800 40 40.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive vijon:

Tiranë 122 raste

Durrës 51 raste

Krujë 17 raste

Shkodër 12 raste

 Kamëz 9 raste

Berat 6 raste

Fier 2 raste

Korçë 1 rast


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë