Bota

25 të vrarë në një sulm në Donetsk, zyrtarët pro-rusë akuzojnë Ukrainën

25 persona u vranë dhe 20 u plagosën pasi forcat ukrainase bombarduan qytetin e kontrolluar nga Rusia të Donetskut në Ukrainën lindore, tha të dielën Denis Pushilin, kreu i rajonit të Donetskut, i emëruar nga Rusia.

Sipas kryebashkiakut të Donteskut të emëruar nga Rusia, Alexei Kulemzin, forcat ukrainase bombarduan një zonë shumë të frekuentuar, me dyqante dhe një treg mallrash.

Kreu i rajonit tha se qyteti ishte goditur nga artileria ukrainase. Ukraina nuk ka komentuar për ngjarjen.

Fotot dhe videot që agjencia Reuters kishte bërë në vendngjarje treguan njerëz që qanin, disa që thanë se kishin humbur të afërmit e tyre dhe trupa të shtrirë në borën e lagur me gjak pranë një prej tregjeve të qytetit.

Pushilin tha se shërbimet e urgjencës po punonin në vendngjarje dhe se specialistët e mjekësisë ligjore po përpiqeshin të mblidhnin fragmente të armëve të përdorura në sulm.

Donetsk është një nga katër rajonet ukrainase që Rusia aneksoi vitin e kaluar, një veprim që konsiderohet i paligjshëm nga shumica e vendeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet. /voa


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë