Histori

24 tetor, kur u krijua Klubi i parë i futbollit me rregullat që njohim ne sot

Ajo që futbolli kishte nevojë në vitet 1800 ishin rregullat dhe një sërë ligjesh në mënyrë që ai të luhej dhe të shijohej nga mijëra pjesëmarrës në mbarë boten, të cilët kishin filluar të shihnin potencialin e tij.

Në vitin 1855 anëtarët e një klubi kriketi të quajtur “Sheffield” vendosin të krijojnë një klub futbolli.

Nathaniel Creswick dhe William Prest formuan Klubin e Futbollit Sheffield. Ata sollën një mori risish të reja që ne të gjithë tani i marrim si të mirëqena si për shembull: dy skuadra me 11 lojtarë, kostume me ngjyra të ndryshme, përdorimi i parë i traversave, futja e goditjeve nga këndi, dhënia e goditjeve të lira, gjuajtjeve dhe madje edhe prozhektorëve për të ndriçuar kur ndeshjet luheshin natën.

Nathaniel Creswick dhe William Prest

Takimi përurues i klubit u zhvillua më 24 tetor 1857 në Parkfield House në periferi të Highfield në Sheffield, Angli. “Zyra” fillestare ishte një serë e huazuar nga Thomas Asline Ward, babai i presidentit të parë të klubit Frederick Ward dhe fusha ngjitur u përdor si fusha e parë e lojës. Fillimisht, duke qenë se nuk kishte klube të tjera, lojtarët luanin kundra njëri-tjetrit, duke u ndarë në grupe “Të martuarit kundër beqarëve” apo “Profesionistët kundër të tjerëve”.

Creswick dhe Perst ishin përgjegjës për hartimin e rregullave të lojës së klubit, të cilat u vendosën në mbledhjen e përgjithshme të klubit më 21 tetor 1858 dhe u botuan vitin e ardhshëm. Ato u referuan si Rregullat e Sheffield, dhe ishin grupi i parë i detajuar i rregullave të futbollit që u botuan nga një klub futbolli. Në atë kohë, para formimit të Shoqatës së Futbollit (FA), shumë lloje të ndryshme futbolli ishin të njohura në Angli. Për shembull, secila nga shkollat ​​e ndryshme publike luante futboll sipas rregullave të veta individuale dhe këto ndryshonin shumë. Rregullat e Sheffield u miratuan më vonë nga Shoqata e Futbollit Sheffield kur u formua në 1867.

Klubi “Hallam FC”, shumë afër Sheffield, u formua në 1860 dhe në të njëjtin vit të dy klubet u takuan për herë të parë me njëri-tjetrin në një Derbi Lokal, i cili ende kontestohet sot sepse të dy klubet kishin rregullat e tyre.

Ata u bënë anëtarë të Shoqatës së Futbollit më 30 nëntor 1863, por vazhduan të përdorin rregullat e tyre. Më 2 janar 1865, klubi luajti ndeshjen e tij të parë jashtë Sheffield kundër Nottingham-it duke luajtur sipas Rregullave të Nottingham.

Në këtë kohë, klubi kishte vendosur të luante vetëm me ekipe jashtë Sheffield, në mënyrë që të kërkonte një sfidë më të madhe. Më 31 Mars 1866, Sheffield luajti me një skuadër ‘London’ sipas Rregullave të FA në Battersea Park. Ndeshja u fitua nga Londra me 2 gola.

Në fund, cështja e Rregullave që po diskutoheshin në të gjithë vendin u zgjidh me përshtatjen nga Sheffield FC të rregullave të FA në 1878.

Ndërkohë që historia njeh dhe shumë Klube të tjera futbolli që datojnë para vitit 1855, Sheffield F.C. është klubi i pavarur i futbollit më i vjetër në botë, domethënë klubi më i vjetër që nuk lidhet me një institucion si një shkollë, spital ose universitet. FIFA dhe FA e njohin Sheffield FC si "klubin më të vjetër të futbollit në botë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë