Histori

24 shkurt 1871, lindi Sevasti Qiriazi, nismëtarja e arsimit shqiptar për vajzat

Nga Gazeta Si - Si sot, më 24 shkurt 1871, u lind në Manastir, atdhetarja që ndihmoi për organizimin e arsimimit të vajzave në shqip, Sevasti Dako Qiriazi.

Ishte gruaja e parë shqiptare që ndoqi studimet e larta në auditorin e “Robert College” në Stamboll.

Në vitin 1891, pas përfundimit të studimeve, u kthye në Shqipëri dhe dha ndihmesë të madhe në ngritjen e shkollës së parë të vajzave, Korçë apo Shkolla shqipe e vashave në Korçë.

Së bashku me motrën e saj, veprimtaren po ashtu të përkushtuar për arsimimin e vajzave, Parashqevi Qiriazin, edukoi në këtë shkollë brezat e parë të të rejave. Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të grave të cilat kontribuuan, jo vetëm në fushën e arsimit, por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare.    

Ajo ka hartuar dhe redaktuar një sërë tekstesh shkollore bashkë me të shoqin, arsimtarin atdhetar Kristo Dako.

Sevasti Qiriazi ka qenë pjesëmarrëse në të dyja kongreset e rëndësishme që hodhën themelet e alfabetit dhe arsimit shqiptar, në Kongresin e Manastirit (14 deri më 22 nëntor 1908) dhe atë të Elbasanit (2 deri në 8 shtator 1909).

Në drejtim të çështjeve kombëtare, ajo do të bashkëpunonte edhe me kryeministrin e Pavarësisë, Ismail Qemalin, si edhe me grupet patriotike shqiptare që gjendeshin jashtë vendit.

Në cilësinë e kryetares së Partisë Kombëtare Shqiptare në SHBA, trumbetoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ligjëratat e mbajtura në shumë forume ndërkombëtare.

Përpjekjet e saj për zhvillimin e arsimit dhe emancipimin shoqëror të femrës shqiptare, vijuan edhe pas kthimit të saj në Shqipëri në vitin 1920, me hapjen e institutit femëror “Kyrias”.

Vdiq më 30 gusht të vitit 1949.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë