Histori

21 maj 1973 – Revolta e Burgut të Spaçit

Më 21 maj 1973, të burgosurit e Spaçit, të lodhur nga puna e rëndë, ushqimi i keq, dhuna fizike dhe nëpërkëmbja e dinjitetit, shpërthyen në një revoltë masive, e cila zgjati tri ditë.

Revolta e Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci. Shkaqet e kësaj revolte ishin kushtet çnjerëzore në të cilat vuanin të burgosurit e burgut, puna e tyre skllavëruese, përdorimi i torturave psikologjike dhe fizike, si edhe gjendja e mjeruar e popullit nën diktaturën komuniste, kundër së cilës ata u ngritën dhe qëndruan heroikisht.

Revolta e të burgosurve të Spaçit ishte një lëvizje politike. Ajo vërtet shpërtheu në mënyrë spontane në mbrojtje të jetës së shokut të tyre Pal Zefit, por menjëherë mori formë të përgjithshme e të organizuar me një shtab drejtues e me kërkesa kryesisht politike të përcaktuara.

Heronjtë e Revoltës së Spaçit ishin Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj – si dhe protagonistët kryesorë: Luan Burimi, Dashamir Kazazi, Hodod Sokoli, Luan Koka, Sami Dangëllia, Paulin Vata, Syrja Lame, Fadil Dushku, Gëzim Medolli, Demir Pojani, Kostandin Papaj, Rexhep Lazri, Ferit Kumanaku, Pal Marku, Bedri Çoku, Murat Marta, Jonuz Norja dhe pjesëmarrësit e tjerë: Çaush Çoku, Ndrec Çoku, apo flamurtari që mbante lart flamurin pa yll, Seliman Çuni, Sherif Allamani, Haxhi Bena, Mersin Vlashi që vizatoi shqiponjën në flamurin e kuq, Naim Pashai, Napolon Koleci, Shuaip Seti, Nuredin Vargo e mjaft të tjerë.

Sipas dëshmitarëve, në atë revoltë, për herë të parë u artikulua shprehja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”

Një prej gjesteve simbolike dhe domethënëse që shënoi kulmin e revoltës ishte ngritja e flamurit kombëtar pa yllin komunist, mbi tarracën e njërës prej fjetoreve.

Flamuri u improvizua me mjete rrethanore nga të burgosurit.

Revolta e 21 Majit 1973 u shtyp me egërsi nga autoritetet, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake.

Nxitësit, organizatorët dhe pjesëmarrësit më aktivë u ndëshkuan me rritje të dënimit, ndërsa katër prej tyre u dënuan me pushkatim.

Katër martirët e revoltës së Spaçit ishin: Hajro Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë