Politike

21 Janari/ Meta: U keqpërdorën qytetarët për qëllime të pandershme

Në një intervistë televizive, presidenti Ilir Meta ka folur për ngjarjen e nëntë viteve më parë, ku më 21 janar u vranë katër protestues të opozitës. Protesta e opozitës u bë një vit më parë nga opozita për faktin se mediat televizive publikuan një video gjatë një emisioni investigativ, ku Meta saj kohe pjesë e qeverisë "Berisha" fliste me ministrin Prifti për 700 mijë euro si pazare.

Pas nëntë vitesh për kreun e shtetit, protesta e iniciuar nga PS-ja asaj kohe tregon se si u keqpërdorën qytetarët. "Sa i takon 21 janarit tjetër, sigurisht që nuk kemi asnjë arsye për t’u krenuar. Është një ngjarje që na kujton se sa tragjike është kur opozita përdor dhunën për të arritur objektiva politike të pandershme. Dhe se sa e rëndë është kur instrumentalizohen qytetarët për qëllime të tilla, sidomos kur nxiten në rrugën e dhunës. Kjo ngjarje na kujton se duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga dhuna si një mjet i arritjes së qëllimeve politike", deklaroi presidenti.

Për kreun e shtetit komisioni hetimor për shkarkimin e tij nuk duhet të ekzistojë, pasi ai nuk ka kryer shkelje të rënda kushtetuese për t'u shkarkuar. Ai e cilëson si absurditet dhe të paligjshëm vazhdimin e këtij komisioni. "Por për mua nuk përbën një shqetësim. E kam thënë edhe më parë që e mira është ta zgjasin afatin deri në 24 korrik të vitit 2022. Presidenti mund të shkarkohet apo të hetohet vetëm për shkelje të rënda kushtetuese, të cilat janë të atij karakteri që mund të cenojnë sovranitetin apo integritetin e Republikës së Shqipërisë. Presidenti nuk mundet të hetohet kurrsesi apo të shkarkohet për shkak të akteve që ai nxjerr dhe të dekreteve të tij, sepse Presidenti vepron përmes dekreteve ashtu si parlamenti vepron përmes ligjeve", thekson Meta.

Ai ka vlerësuar paktin e arritur për reformën zgjedhore, duke deklaruar në të njëjtën kohë se palët janë shumë vonë për plotësimin e kritereve të vendosura nga Bundestagu. " Le të shpresojmë se nuk do të ketë ndonjë surprizë rrugës! Por edhe sikur të vazhdojë në këtë mënyrë, është fare-fare pak, përveç se është tepër vonë, dhe kërkohet një tryezë tjetër mendoj unë, shumë e thellë dhe më e përgjegjshme për të plotësuar të gjitha këto detyrime, të cilat janë tashmë të qarta në rezolutën e Bundestag-ut", theksoi Meta. Sa i përket reformës në drejtësi, kreu i shtetit shtoi se ajo mori goditje në zemër në momentin kur mazhoranca vendosi të zgjedhë Arta Markun si kryeprokurore e përkohshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë