Arsim

21 323 studentë të regjistruar (500 më pak se vjet). Braktisen gjuhët e huaja, shkencat ekzakte

Nga Gazeta Si - Sikurse ishte deklaruar që në nisje të vitit të ri akademik, në universitetet publike shqiptare, numri i studentëve të regjistruar për këtë vit është më i vogël se një vit më parë.

Shifrat zyrtare nga Rrjeti Akademik shqiptar, RASH, referuar 2 raundeve të regjistrimit, tregojnë se këtë vit janë 21.323 studentë që nisin vitin e ri akademik, ose 500 më pak se në vitin 2022 kur numri i të regjistruarve ishte 21.800.

Sipas kreut të RASH, Arjan Xhelaj, nuk ka një shifër konkrete për kuotat e lira, por nga një vëzhgim i Gazetasi.al në portalin zyrtar ku janë kryer aplikimet për në universitet, www.ualbania.al , shihet se të rinjtë kanë braktisur përfundimisht në të dyja raundet (dhe raundin e lirë) degët e shkencave ekzakte si kimi e biologji si dhe degët e gjuhëve të huaja, greqisht, italisht dhe rusisht.

Regjistrimet në Universitet në vitet e fundit

Në degën e gjuhës spanjolle në UT, janë 4 studentë që kanë fituar të drejtën e studimit, ndërsa kuotat e lira janë zyrtarisht 56.

Nëse vëren kuotat e lira në universitetin e Tiranës, sheh se degë si psikologjia, teknologjia e informacionit, informatikë dhe informatikë ekonomike, kanë 0 kuota të lira ndërsa degët kimi, kimi industriale dhe ushqimore, kimi dhe teknologji ushqimore, biologji kanë mbetur të paprekura sikurse ishin në raundin e mëparshëm, çka tregon për një braktisje nga ana e të rinjve.

Mungesa e interesit për këto degë, sipas ekspertëve të fushës, lidhet me mungesën e tregut të punës për këto profesione.

Gjithashtu, edhe në degën e Fizikës në universitetin e Tiranës, këtë vit do të jenë 8 studentë të regjistruar, pasi në portal referohet për ende 46 kuota të lira të parealizuara, nga 54 total që fakulteti i Shkencave të Natyrës ka deklaruar për këtë vit të ri akademik.

E njëjta panoramë dhe në degën e Kimisë, ku kuotat e lira janë 55 dhe të regjistruar vetëm 5 studentë.

Edhe në fazën e fundit të regjistrimeve, universiteti Politeknik, Bujqësor dhe Universiteti i Mjekësisë kanë patur kërkesa për kuotat e lira të shpallura pas mbylljes së dy raundeve. Por ka patur dhe degë të tilla si Bioteknologji-zooveterinari dhe Agromekanizëm në Universitetin Bujqësor ku nuk është regjistruar asnjë student.

I vetmi që ka realizuar kuotat 100% është universiteti i Mjekësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë