Lajme

20 raste të reja me COVID-19, riinfektohet një personel shëndetësor

Ministria e Shëndetësisë në përditësimin e saj për situatën me COVID-19 thotë se në 24 orët e fundit janë regjistruar 20 raste të reja si dhe është shënuar një humbje jete.

Mjekja Flutura Beqo thotë 85-vjeçarja nga Tirana që humbi jetën në Spitalin Infektiv, e konfirmuar me COVID-19, kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese, duke e cuar në 34 numrin e viktimave në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë konfirmon se për herë të parë kemi rast riinfektimi nga COVID-19 dhe bëhet fjalë për një personel shëndetësor.

“Aktualisht kemi një personel shëndetësor i riinfektuar pas thuajse 3 muajsh, pra i infektuar për herë të dytë, si kontakt familjar. Gjendja e tij shëndetesore është e stabilizuar”, thekson ministria.

Beqo thotë se në spitalin infektiv, aktualisht po trajtohen 27 të prekur, nga të cilët 6 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.

Ndërkohë në Laboratorin e Virologjisë në ISHP kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve në të gjithë vendin.

Në 24 orët e fundit janë kryer 253 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitive, përkatësisht, 10 raste në Tiranë, 3 raste në Shkodër, 3 në Krujë, 2 në Durrës, 2 në Tropojë. Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte familjare dhe disa raste të reja në proces hetimi.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 15 qytetarë, duke e çuar në 925 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë.

Deri tani janë kryer mbi 18 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1232 raste. Në vendin tonë janë aktualisht 273 persona aktivë me COVID19, rreth 70% e të cilëve janë në Tiranë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton edhe njëherë për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës vetjake dhe shmangien e grumbullimeve.

COVID-19 – Statistika (6 Qershor 2020)

Testime totale                         18097

Testime molekulare                16062

Testime serologjike                 2035

Raste pozitive                          1232

Raste të shëruara                      925

Raste Aktive                             273

Humbje jete                              34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë           187

Krujë             23

Shkodër         17

Kamëz            14

Durrës           10

Mat                 9

Lushnje           6

Berat               2

Tropojë          2

Korçë              1

Librazhd          1

Mallakastër     1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë