Lajme

2 viktima dhe 68 raste të reja, shtohet numri i pacientëve në terapi intensive dhe intubim

Në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 2 persona nga Covid-19. Pacientet kanë qenë nga Tiranë dhe përkatësisht në moshën 58 dhe 59 vjeç, të cilat vuanin nga disa sëmundje bashkëshoqëruese.
Ndërkohë Genta Qirijako nga ISHP bëri me dije se janë 68 raste të reja, ndërsa gjendja në Spitalin Infektiv, është rënduar. Qirijako bëri me dije se aktualisht janë 83 pacientë të shtruar, 10 pacientë në terapi intensive dhe 4 prej tyre të intubuar në gjendje të rëndë. Ndër të tjera mjekja deklaroi se qytetarët dhe të jenë vigjilent, pasi në spital janë të shtruar edhe mosha të reja.
“Nga rastet e konfirmuara shpërndarja gjeografike është: 24 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 8 në Kukës, nga 5 raste në Vlorë, Berat, nga 3 raste në Elbasan, Lezhë, Kavajë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Korçë dhe nga 1 rast në Divjake dhe Lushnjë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 47 qytetarë, duke e çuar në 1791 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1232 persona aktivë me COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën thirrje të gjithë qytetarëve të ndërgjegjësohen për respektimin e masave të vendosura. Situata serioze në spitalin infektiv kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të ruajtur distancimin fizik, për të ruajtur higjienën personale, për të mbajtur maskën në ambiente të mbyllura, apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca fizike prej të paktën 1.5 metër. Bizneset duhet të marrin të gjitha masat për zbatimin e protokolleve të higjienës të miratuara nga autoritetet shëndetësore, për të ruajtur punonjësit dhe qytetarët,” shpjegoi Qirijako.
Më tej mjekja këshilloi edhe një herë qytetarët që nëse kanë shenja të sëmundjes të izolohen dhe të telefonojnë numrin e Urgjencës Kombëtare, 127 ose në të kundërt kur kanë nevojë për këshillim psikologjik dhe të flasin me mejkun e familjes të telefonojnë në numrin 0800 40 40.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 488
Durrës 222
Shkodër 161
Vlorë 120
Lezhë 65
Fier 42
Korçë 31
Elbasan 28
Kukës 28
Berat 20
Gjirokastër 15
Dibër 12


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë