Politike

2 Marsi i Besëlidhjes, Albin Kurti si “Skënderbeu” zbret në Lezhë: Zotohem për bashkimin e gjithë trojeve

Në murin që mban historinë brenda, atë të Besëlidhjes së Lezhës, qysh prej 1444, që të martën zgjatohej nga një tapet i kuq, u përul kryetari i LVV-së, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti.

Në ceremoninë që i ngjasonte një protokolli zyrtar, por pa zyrtar nga Shqipëria, Albin Kurti i Kosovës, Shaip Kamberi deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë,  Nik Gjeloshaj kryetar i Komunës së Tuzit në Malin e Zi, Zijadin Sela kryetar i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, u mblodhën bashkë në një ceremoni “patriotike”.

Kur kanë mbetur më pak se dy muaj nga zgjedhjet e 25 Prillit e kur Albin Kurti garon me një kandidat të vetin në Lezhë, (por zyrtarisht i regjistruar si kandidat i pavarur), Kreu i VV ka zgjedhur simbolikën për bashkim mbarë kombëtar nga gjithë trojet shqiptare.

Në masa të larta sigurie, me shumë pak njerëz e me kalimtarë që më së shumti kërkonin foto me Albinin, Lideri i VV në Kosovë e kishte thirrjen e qartë, kësaj here jo për njerëzit që e rrethonin: “Sot më 2 mars teksa shënojmë përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhë të Besëlidhjes që është akt politik, publik i besatimit, i lidhjes së dëshirës së përbashkët, ne duhet të mendojmë e të veprojmë, duke menduar se si do të mendonin e do të vepronin nga Skënderbeu te Rilindasit tanë e deri te luftëtarët e dëshmorët ne veçanti të luftës së fundit në Kosovë”.

Aty, në mesin e burrave të ardhur nga trojet shqiptare, por as nga selia e Lezhës (vetëm pak metra larg) apo ajo e Tiranës, Albin Kurti që për herë të parë u shfaq në ditën historike për shqiptarët, bash tek Besëlidhja e Lezhës u angazhua: “Sot këtu tek Flamuri Kombëtar tek Besëlidhja e Lezhës i përulemi me nderim të përjetshëm dhe i zotohemi për angazhim të përjetshëm heroit tonë kombëtar Skënderbeut dhe të gjithë luftëtarëve shqiptarë në të gjitha epokat e kombit tonë”

“Duhet të ndjekim pishtarin që është bartur përgjatë historisë nga brezi në brez në mënyrë që populli shqiptar kudo që është të faktorizohet t’i nxjerrë përfaqësuesit e tij më të mire dhe më te devotshëm dhe në këtë mënyrë krizën e shumëfishtë që e ka pllakosur ta zëvendësojë me çlirim, bashkim, zhvillim, me përparim të gjithanshëm...”, tha Kurti, i cili u largua pa zhurmë, dhe i rrethuar me ata që ai erdhi, përfaqësuesit nga të gjitha trojet shqiptarë, Mal i Zi, Presheve, Kosove e Maqedoni e Veriut, por jo nga shqiptarët e Tiranës.      /  N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë