Lajme

18 kandidatët për BKH, ese se si do të luftojnë korrupsionin

Gara për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit është zhvendosur ditën e sotme në afërsi të Torre Drin në Tiranë. 18 pretendentët që po konkurrojnë me njëri-tjetrin ditën e sotme janë thirrur për të kaluar pengesën e radhës. Në orën 9.00 të mëngjesit, tha një burim i gazetës “Si”, nëntë pretendentët e parë u ulën në tryeza dhe duhet të shfaqin mjeshtërinë e tyre në shkrimin e eseve dhe t’u përgjigjeshin 30 pyetjeve. Provimi me shkrim është ndarë në dy nëngrupe, ndërkohë që nëntë të tjerët do t’i nënshtrohen të njëjtës provë në orën 13. 00. Një burim i gazetës “Si” pranë komisionit të SPAK tha se qëllimi i kësaj sprove është për të kuptuar strategjinë e secilit kandidat për të arsyetuar me shkrim ligjor në ese se si do ta luftojë korrupsionin në vend dhe krimin e organizuar. Natyrisht që tema e eseve është mbajtur sekret, ashtu si edhe pyetjet. Pas këtij provimi ku u janë nënshtruar pyetjeve zyrtarë të lartë të policisë sikurse Aida Veizaj, Agim Ismaili, Adriatik Ago, Artan Shkëmbi, Eduart Merkaj, Pëllumb Seferi apo edhe prokurori Ylli Pjetërnikaj, pritet që nga 18 pretendentë që kanë mbetur në garë brenda javës ky numër të rrudhet.

Kandidatët që janë futur në provim

Prova e parë

Në garë më herët hynë 40 aplikantë që nga avokatë, policë apo edhe ish-oficerë policie që jetonin jashtë Shqipërisë. Disa prej tyre u skualifikuan, pasi nuk plotësonin kriteret formale, përfshi edhe kushtin e shtetësisë shqiptare.

Prova e dytë

Ndërsa në garë mbetën 18 prej tyre, prova e dytë për BKH ishte testi fizik. Të gjithë aplikantët vrapuan e bënë pompa në ambientet e RENEA-s, ku natyrisht u zgjodh një ambient i mbyllur për të mos nxjerrë haptazi faktin që shumica e kandidatëve mund të kenë pasur pak vështirësi në vrap sa kohë të gjithë janë mbi peshë. Por sidoqoftë testi i tretë përcakton se kush do vazhdojë më tej, pasi siç bëhet me dije për gazetën “Si” para muskujve, për në BKH ka më tepër rëndësi forca e mendjes.

Prova e radhës

Por provimi më emocionues do të jetë poligrafi që pritet të kryhet javën që vjen ndaj atyre që do mbeten në “lojë”. Për ta mbyllur me intervistën ballë për ballë. I gjithë ky proces po monitorohet nga amerikanët që ndërkohë kanë trajnuar edhe personat që do përdorin makinën e së vërtetës te drejtori i BKH-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë