Lajme

1,5 mln euro për ndërtesat e gjelbërta në Shqipëri

Institucioni mikrofinanciar Fondi BESA mori një pjesë të financimit prej 1.5 mln eurosh për investimet e gjelbërta nëpër shtëpi në Shqipëri, në kuadër të projektit për Lehtësim të Financimeve për Ekonominë e Gjebër të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Investimi jepet si kapital për të mbështetur investimet në teknologji për efikasitet në energji, materiale për banesat rezidenciale ose ndërtesat private. Kredia totale është 3 mln euro.

Investimet priten të shpien në kursimin e energjisë prej më shumë se 68,000 MWh në vit dhe reduktimin e emetimeve vjetore të gazrave serrë me më shumë se 21,250 tonë CO2.

Fondi BESA ka më shumë se 32,200 klientë në Shqipëri me një regjistër kredie prej 87 mln eurosh dhe asete prej 107 mln eurosh. 66 % e aksioneve zotërohen prej Fondacionit Shqiptar Besa, një organizatë jofitimprurëse. Kompania është partnere e BERZH që prej 2010-ës dhe mundëson huamarrje të vogla për individë dhe biznese të vogla në Shqipëri.

Financimi i ri për Shqipërinë mundësohet nën projektin e lehtësirave në financim për ekonominë e gjelbër drejtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor prej 85 mln eurosh. Programi është një iniciativë e përbashkët e BE-së, donatorë bilateralë dhe vendet përfituese që bashkëpunojnë në kuadrin e Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor; dhe zbatohet në partneritet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Ministria Federale Austriake e Financave do të mundësojë incentiva dhe bashkëpunim teknik në mbështetje të investimeve teknologjike të gjelbra.

Programi në fjalë operon përmes një rrjeti prej më shumë se 130 institucionesh financiare lokale në 26 vende të mbështetura nga financimi i BERZH prej më shumë se 4 mld eurosh.
Kjo ka mundësuar që më shumë se 120,000 klientë të kursejnë një total prej më shumë se 7 mln tonësh emisione CO2 në vit.

BERZH ka investuar 1.2 mld euro në 84 projekte në Shqipëri, ku ajo fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat, duke rritur komercializimin e projekteve të infrastrukturës dhe promovuar energjinë e qëndrueshme dhe investime të shëndosha mjedisore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë