Politike

“130 mln euro për rroga dhe luks”, PD sulmon Veliajn


Për Partinë Demokratike, Buxheti i miratuar në bashkinë e Tiranës për vitin 2020 nuk përmirëson jetën në kryeqytet. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa thotë se buxheti i miratuar një ditë më parë parashikon që 130 milionë euro të shkojnë për rrogat e bashkisë së Tiranës dhe për shpenzime të tjera luksi, nga të cilat qytetarët nuk përfitojnë asgjë.
“Buxheti i miratuar një ditë më parë parashikon që 130 milionë euro të shkojnë për rrogat e bashkisë së Tiranës dhe për shpenzime të tjera luksi, nga të cilat qytetarët nuk përfitojnë asgjë. Erion Veliaj, personi që u emërua me votat e administratës së vet, e ka çuar në 7 mijë numrin e atyre që do të paguajë me taksat e banorëve të Tiranës. Kjo fryrje që kalon çdo standard europian i shërben vetëm Erion Veliajt, pasi shërbimet për qytetarët nuk do të përmirësohen. Uji i pijshëm do të vazhdojë të mungojë ose do të vijë i ndotur në rubinetat tona, shkollat dhe kopshtet do te vazhdojnë të jenë të mbipopulluara, rrugët nëpër lagjet e Tiranës do të vazhdojnë të jenë gropa – gropa, sepse Erion Veliaj nuk ka prioritet zhvillimin e qytetit, por betonizimin e tij”, deklaroi Zhupa.
Për PD-në, ende pas pesë vitesh po mburret me projektet e Bashës, si Bulevardin e Ri, Pazarin e Ri, lumin e Tiranës, ndërsa ai do të mbahet mend si kryebashkiaku që ka thyer edhe rekordin e Edi Ramës për lejet e ndërtimit, betonizimin e kryeqytetit dhe zhvatjen e qytetarëve.
“Për vitin 2020 ka një lajm te keq për qytetarët e Tiranës. Zonat ku Erion Veliaj do të vendosë parkim me pagesë, do të zgjerohen. Kjo do të thotë që qytetarëve do t’u merren edhe më shumë para nga xhepat për të mbushur xhepin e Veliajt. Buxheti 2020 i Bashkisë së Tiranës është në të njëjtën frymë me atë të buxhetit të qeverisë së Edi Ramës. Ai nuk ka lidhje me interesat e qytetarëve, por është një derë e hapur për aferat korruptive dhe pasurimin e paligjshëm të një grushti klientësh të bashkisë dhe qeverisë”, theksoi Zhupa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë