Politike

Video – 110 vjetori i Pavarësisë / Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri, Rama veçon Rugovën dhe Thaçin. Kurti: Të mos mblidhemi vetëm për festa

Kosova dhe Shqipëria zhvilluan për herë të parë, në prag të 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, mbledhjen e përbashkët mes dy Kuvendeve. Kryeparlamentarët Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca baahkëdrejtuan mbi dy orë sesionin e posaçëm të mbajtur në Tiranë, ku folën krerët e grupeve parlamentare të Kuvendeve respektive dhe në fund kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit tha se “marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë edhe produktive më shumë se sa kanë qenë kurrë ndonjëherë tjetër”.

“Këtë e tregojnë faktet e provuara nga jo thjesht mbledhjet e përbashkëta të përvitshme mes dy qeverive por nga vullneti dhe rritja e aftësisë. Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare apo lirinë e lëvizjes së deri djeshme, që dukej mision i pamundur.

Apo abetaren e përbashkët, një tjetër ngjarje shumë e rëndësishme dhe shumë e vonuar por e realizuar. Apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik shqiptar dhe historinë e shqiptarëve, një punë e marrë përsipër nga Akademitë tona të Shkencave”, tha Rama.

Ai theksoi se mjafton të shohësh bashkëpunimin e përditshëm në fushën e energjisë, apo punën e nisur për të bërë realitet portin dhe hekurudhën.

“Për hekurudhën kemi tanimë ofertuesit, një grup i gjerë kompanish nga më të mëdhatë e Europës që kanë ofertuar për të marrë përsipër studimin e fizibilitetit të porositur nga të dyja qeveritë me vendim të përbashkët”, tha Rama.

Kryeministri tha se në fillim të vitit të ardhshëm hapim garën ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit, i cili do të ndërtohet në Porto Romano.

“Nëse gjithçka shkon sipas planit, në fillim të 6-mujorit të dytë të vitit të ardhshëm ne do të jemi në kantier. Do të jetë një port i përbashkët i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë dhe Strugë me dy Porte të Thata që do të lidhen me hekurudhën. Për hekurudhën Durrës-Prishtinë tani hymë në fazën e fizibilitetit, ndërsa për hekurudhën tjetër jemi në diskutimet me BE-në dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut”, informoi Rama.

Ai tha  se më 12 dhjetor do të bëhet prezantimi i projektit përfundimtar të Portit të Durrësit, ku shpreson të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës Kurti dhe ministrat e tjerë.

“Pasi kemi parashtruar publikisht konceptin për portin e ri, në 12 dhjetor prezantojmë publikisht projektin përfundimtar të kompanisë që do t’i nënshtrohet garës dhe do të fillojë nga puna në mesin e vitit 2023”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, Rama veçoi dy figura nga Kosova. “Po kthehem aty ku nisa me ata që i hapën rrugë shumë përpara mundësive që ne patëm më pas.

...Dy emra do të sjell në vëmendje. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe UÇK që lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot. Dhe Hashim Thaçin që është ndarë prej nesh përkohësisht me një mision që vazhdon”, tha Rama.

Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve në Tiranë, Kurti tha se qeveritë e dy vendeve nuk duhet të takohen vetëm në festa, por duhet të punojnë më shpesh bashkë dhe t’i pranojnë kritikat njëri tjetrit.

“Hapësira jonë kultura dhe ekonomia nuk janë çifligje që i përkasin dikujt, por të gjithë duhet të vendosim ndonjë gur në këtë kala.

Na duhet të jemi më shpesh bashkë, e jo vetëm në kremte. Duhet të ndajmë ide me njëri-tjetrin dhe të pranojmë kritikat e njëri tjetrit, pra të punojmë me njëri tjetrin”, tha Kurti.

“Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe për vendet tona por dhe burim kulture dhe demokracie. E di se aty nuk po shkoni për qejf por prej brengës. E di që nuk ua kemi rikthyer besimin në drejtësinë dhe demokracinë e vendeve tona, por ju garantoj se këtë betejë do ta fitojmë deri në fund. Shqipëria bëhet, Kosova bëhet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë