Histori

105 vite nga lindja e kompozitorit Prenk Jakova dhe kërkesa e Enver Hoxhës që i la gjurmë në jetë

foto e kompozitorit

Nga Gazeta Si - Me një punë këmbëngulëse e vullnet të fortë, Prenk Jakova në vitin 1956 do të fillonte të hidhte në partiturë notat e muzikës që kishte në imagjinatën e vet. Të gjitha punimet mbasi i kalonte në piano, çdo pasdreke deri natën vonë, i konsideronte të përfunduara. Kompozitori ishte shumë i vendosur dhe këmbëngulës për ta çuar punën deri në fund, ashtu siç e kishte programuar ai vetë dhe në maj të vitit 1958, ai ia doli që të vërë në skenë operën “Mrika” nga kompozitori i madh, Prenk Jakova.

Sot më 27 qershor shënohet 105-vjetori i lindjes së kompozitorit Prenk Jakova “Nder i Kombit”, artistit që hodhi themelet e operës shqiptare.

Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Suksesi i madh i Prenkës me vënien në skenë të operës së parë shqiptare, “Mrika”, ku asistoi vetë Enver Hoxha në shfaqjen që u dha në Tiranë në Institutin e Lartë të Arteve, do të pasonte me suksese të tjera.

Enver Hoxha e përgëzoi për atë punë kolosale që kishte bërë dhe i kërkoi të bënte dhe një opera tjetër për Skënderbeun, dhe Prenka do t’i përgjigjej: “Shoku Enver, operat nuk janë si bukët që i fut në furrë…”?!

Por edhe pse i dha atë përgjigje Enver Hoxhës, Prenka iu vu punës dhe e shkroi operën “Skënderbeu”, por kur e solli në Tiranë për t’ia miratuar, i sollën shumë pengesa duke i kërkuar të hiqte disa pjesë prej saj, gjë të cilën ai nuk e pranoi dhe do të kishte një ndikim të madh tek ai.

Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh dhe Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës.

Më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë.

Veprimtaria muzikore që la kompozitori Prenk Jakova është shumë e pasur dhe konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.

Si për virtuozitetin e tij, ashtu edhe për veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.

Prenk Jakova u lind më 1917 në një familje qytetare me prejardhje nga Gjakova, i biri i Kolës së Dedë Jakovës. Gjyshi i tij, Deda, qe i dhënë pas muzikës dhe i binte klarinetës në Kolegjin Saverian.

Jakova ndoqi shkollën fillore në vitet 1924-1929 dhe më pas vijoi në liceun Illyricum në qytetin e lindjes, ku ndër të tjerë i dha mësim edhe Át Martin Gjoka. Gjatë shkollimit të mesëm, kaloi nga liceu në gjimnazin e përgjithshëm të Shkodrës, të cilin e kreu më 1935.

Gjatë shkollës qe anëtar i bandës së shkollës dhe me nxitjen e të atit nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia. Më tej, banda e shkollës u shndërrua në bandën e qytetit dhe Jakova qe klarinetisti i saj.

Gjatë kësaj periudhe Jakova nisi të shkruante motive muzikore mbështetur në motivet e këngëve popullore të mirënjohura, ndër të cilat “Delja rudë”, “Hajredini”, “Besa e një trimi” dhe “Shkoj e vi flutrim si zogu”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë