Lajme

“100 fshatrat”, Rama kritikon krerët e bashkive

Kryeministri i vendit, Edi Rama, zhvilloi sot një takim në Kryeministri për projektin “100 fshatrat”. Ai u shpreh se ky takim është në vazhdën e procesit të organizimit të programit të 100 fshatrave dhe në themel të këtij programi është domosdoshmëria për t’i koordinuar të gjitha forcat .

“Në të gjitha territoret e vendit janë identifikuar pikërisht një numër i caktuar fshatrash për të promovuar sa më shumë dhe sa më konkretisht idenë e një lufte të qëndrueshme me varfërinë, me papunësinë, me izolimin për shkak të distancave dhe pamundësisë për t’u përfshirë në aktivititetin intensiv të zhvillimit bujqësor dhe blegtoral me qëllimin e qartë që përmes harmonizimit të të gjithave fondeve dhe forcave të krijohen rrugë të reja për zhvillimin e familjeve rurale. Përmirësimi i infrastukturës është një aspekt themelor i programit”, u shpreh kryeministri.

Rama në këtë takim kritikoi krerët e bashkive, pasi sipas tij janë larg vëmendjes së fshatit. Gjithashtu u shpreh se duke iu referuar projekteve për agroturizmin, aplikimet nuk ishin as sa numri i bashkive të vendit, dhe për këtë qeveria u detyrua të rihapë thirrjen.

“Rihapëm thirrjen për agroturizmin si rezultat i mungesës së projekteve. Kemi vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshme nga buxheti i shtetit që do të jetë mbështetje e drejtpërdrejtë për ata që investojnë në agroturizëm. Këtu nuk bëhet fjalë për kredi, po për grant, para që jepen për projektin pa asnjë interes nga ana e qeverisë. Numri i projekteve që kemi marrë ka qenë 10 herë më i vogël se numri i bashkive që kemi. Kjo është e pakuptueshme dhe e pajustifikuar, tregon sa larg akoma janë bashkitë e reja nga vëmendja që duhet të kemi ndaj pjesës së fshatit. Për të ardhur keq që gjithë diskutimi i krerëve të bashkive, kur vjen puna të fshati është rrugë, rrugë, rrugë. Pa diskutim që rrugët janë të domosdoshme, por edhe mundësia për të investuar në rrugët rurale është e kufizuar. Ndërkohë që ka shumë element të tjerë që duhet të shkojnë paralelisht dhe ka shumë raste konkrete që pavarësisht se rrugët mund të mos jenë në nivelin e duhur investime në agroturizëm sjellin sukses”, tha Rama.

Po ashtu u doli në pah edhe problematika e mbetjeve urbane në fshatra.

“Mbetjet urbane në zonën e fshatit, një problem i madh që ka marrë zgjidhje në disa njolla të caktuara të hartës së Shqipërisë, po ka shumë ende njolla të zeza që duhen adresuar e pastruar nga harta”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë