Njerez

10 vendet më të mira për të qenë grua 

Islandë, Norvegji apo Finlandë. Në secilin prej këtyre vendeve do të gjenit një parajsë për gratë, ose thënë ndryshe një pabarazi gjinore aq mikroskopike sa nuk do ta vinit re. Sipas Indeksit Global mbi Hendekun Gjinor, vendet nordike kryesojnë listën prej vitesh, duke i përshtatur politikat e tyre drejt barazisë së plotë gjinore. Megjithatë, sipas këtij Indeksi, përparimi në barazinë gjinore ka ardhur duke u ngadalësuar dhe me këtë normë  ndryshimi, do të duhen edhe 108 vjet, që hendeku gjinor në shkallë globale – aktualisht në normën 68 përqind –të  mbyllet. Kjo i ka shtuar  edhe tetë vite të tjerë parashikimit të 2017-ës, sipas raportit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror. Indeksi u botua për herë të parë më 2006-ën  për matjet e pabarazive gjinore në shtete sipas katër nënindekse: Pjesëmarrja në Ekonomi, Arritjet në edukim, Shëndeti dhe Mbijetesa, si edhe Fuqizimi Politik.  Më 2018-ën, ky indeks  përfshiu edhe pesë shtete  të tjerë si,  Republika Demokratike e Kongos, Iraku, Omani, Sierra Leone dhe Togo, duke çuar në një total prej 149 shtetesh.

Indeksi Global i Hendekut Gjinor, Forumi Ekonomik Botëror

Progres tejet i ngadaltë

Që prej 2006-ës, hendeku i përgjithshëm gjinor u reduktua me 3.6 përqind, por më 2018-ën, kishte vetëm 0.03 përqind reduktim, duke zbuluar kështu një progres tejet të ngadaltë.Por drejtimi i përgjithshëm i udhëtimit është pozitiv: nga 144 vende që u  mbuluan më 2017-ën dhe 2018-ën, 89 prej tyre e kanë mbyllur të paktën hendekun gjinor margjinal, por  55 kanë pësuar regres.  Siç cilëson edhe raporti i Forumit Ekonomik Botëror: “Megjithëse progresi vijon me hap të ngadaltë... fakti se shumë vende po lëvizin drejt një barazie më të madhe gjinore është inkurajuese dhe shpërblen përpjekjet e të gjithë politikëbërësve dhe praktikantëve në të gjithë botën, që punojnë për të arritur Synimin e Pestë të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm: Barazia Gjinore.”

Dhjetëshja më e mirë

Islanda kryeson indeksin prej dhjetë vitesh radhazi, duke mbyllur më shumë se 85 përqind të hendekut të saj të përgjithshëm. Katër vendet më të mira janë të gjithë vende nordike: me Norvegjinë, Suedinë dhe Finlandën, në vend të dytë, të tretë dhe të katërt, përkatësisht. Ka një hyrje të re në dhjetëshen më të mirë – Namibia është ngjitur tre vende duke u bërë i dyti shtet i Afrikës sub-Sahariane që kryeson këto shtete, pas Ruandës. Në indeksin e parë të Hendekut Gjinor, Namibia renditej e 38-ta. Nga viti 2018, u përmirësua me më shumë se 10 përqind, duke mbyllur mëse 79 përqind të hendekut të përgjithshëm gjinor. Hendeku mbi Shëndetin dhe Mbijetesën në Namibi është mbyllur prej vitit 2013 dhe renditet e pesta për Fuqizimin Politik, me një përforcim në shifrat e grave në parlament. Një nga historitë më të mëdha të suksesit është Nikaragua, e cila e ka tejkaluar Ruandën, duke zënë vendin e pestë këtë vit dhe ka bërë një ngjitje nga vendi i 62-të, më 2006-ën. Për të shtatin vit, ka hendekun më të vogël gjinor në Amerikën Latinë dhe rajonin e Karaibeve, duke mbyllur më shumë se 80 përqind.

Ekonomia, Politika dhe Inteligjenca Artificiale

Nga të gjithë nënindekset, hendeku gjinor i Mundësisë në Ekonomi është ai që do të marrë edhe kohën më të gjatë për t’u mbyllur plotësisht: me 202 vjet. Tavani i qelqtë me gratë që ende shpërfillen në role menaxheriale apo poste të rëndësishme. Të dhënat e disponueshme, zbulojnë se vetëm një e treta (34 përqind) e menaxherëve në botë, janë gra. Në Revolucionin e Katërt Industrial, ka gjithashtu një hendek domethënës gjinor në profesionistët e Inteligjencës Artificiale, me vetëm 23 përqind, krahasuar me 77 përqind që janë meshkuj, duke rezultuar në një hendek që ende duhet mbyllur, prej 70 përqind. Hendeku gjinor në Fuqizimin Politik kërkon tani edhe 107 vjet të tjerë që të mbyllet, duke pasqyruar shifrat e ulëta të grave në të gjithë rolet politikë dhe veçanërisht si krerë shtetesh. Vetëm 18 përqind e ministrave janë gra dhe në gjashtë prej 149 vendeve, nuk ka fare gra në poste ministrore.Raporti citon: “Shumë gra në pozicione si krerë të shteteve janë zgjedhur në dekadën e shkuar. Pavarësisht zhvillimeve të fundit, ka ende vetëm 17 gra në krye të shteteve apo kryeministre, në 149 shtete, më 2018-ën, përfshi kryeministren e Rumanisë, që u zgjodh këtë vit.” Por lajmi i mirë është se hendeku gjinor mbi edukimin qëndron vetëm me 5 përqind mesatarisht dhe mund të mbyllet në 14 vjet, bazuar në trendet aktuale, ndërsa hendekut i Shëndetit dhe Mbijetesës mund të konsiderohet “virtualisht i mbyllur në pjesën më të madhe të vendeve”.

Shqipëria e shtata në rajon

Në indeksin  global Shqipëria renditet në vendin e 34-t, me vlerësimin e arritjeve që ka bërë në eliminimin e hendekut gjinor, prej vitit 2006, kur renditej në vend të 61-të. Por në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, Shqipëria renditet e shtata, duke lënë pas shumë vende fqinje. Kjo listë kryesohet nga Sllovenia, e cila në rang botëror renditet në vend të 11, fare pranë dhjetëshes më të mirë, ndjekur nga Letonia dhe Bullgaria , në vend të 17 dhe 18. Estonia (33), Shqipëria (34), Moldavia (35) dhe Serbia (38) përbëjnë një total rreth nivelit të përgjithshëm të barazisë gjinore me 73 përqind, shkruhet në raportin e Forumit Botëror Ekonomik.  Estonia ka rikuperuar nga humbja e terrenit vitin e kaluar, për shkak të përmirësimeve në nën indeksin e Fuqizimit Politik, ndërsa Shqipëria dhe Serbia gjithashtu janë përmirësuar si pasojë e hendeqeve më të ngushta gjinore në pjesëmarrjen e forcës punëtore dhe, në rastin e Serbisë, në Fuqizimin Politik. Megjithëse në total Shqipëria duket se ka bërë lëvizje përpara drejt barazisë gjinore, sheh rënie prej 2006-ës, në disa nënindekse, ku sa i përket Pjesëmarrjes Ekonomike dhe Mundësive, renditet në vend të 54-t, po ashtu ka pësuar rënie në Arritjet në Edukim, nga vendi i 51-të, renditet e 91-ta. Po ashtu rënie ka pësuar edhe në nënindeksin e Shëndetit dhe të Mbijetesës, ku ka humbur 24 pozicione dhe renditet për 2018-ën, në vend të 134-t. Ndërsa në  12 vjet, Fuqizimi politik ka qenë i ndjeshëm, duke e çuar Shqipërinë nga vendi i 110-të , më 2006-ën, në të 34-tin. 

Me një Prodhim të Brendshëm Bruto (GDP) i vlerësuar me 13.04 miliardë dollarë, Shqipëria shënon arritje në barazinë e pagave për punë të ngjashme mes meshkujve dhe femrave, duke u renditur në vend të pestë, ndërsa në pjesëmarrjen e forcës punëtorë, në 149 shtete, Shqipëria mban vendin e 89-të. Megjithëse arritjet në edukim e rendisin jo në pozicion të favorshëm që flet për përpjekjet e mbylljes së hendeqeve gjinore,  në nivelin e arsimit të lartë, për pjesëmarrje të barabartë meshkuj/ femra, vendi ynë renditet në vend të parë. Femrat mbajnë normën më të lartë të diplomave në Biznes, Administrim  dhe  Drejtësi  me 26.9 përqind, megjithëse meshkujt në këto fusha shënojnë  përqindje edhe më të lartë me 33.5 përqind.  Edhe në fushën e Shëndetit dhe Mirëqenies janë 17.4 përqind të diplomuara femra, por ndryshe nga sa perceptohet në Shkencat Sociale, Gazetari dhe Informatikë  janë vetëm 8.6 përqind femra. Të rinjtë  e punësuar apo  të regjistruar në arsim janë 31 përqind femra dhe 29.3 përqind meshkuj, ndërsa norma e papunësisë është  pothuajse e njëjtë në të dy gjinitë me 17 përqind.  

Kabineti qeveritar Rama, përpara ndryshimit të ministrave, në dhjetor të 2018-ës

Kontributin më të madh në familje me të ardhura e  bëjnë gratë, me afro dyzet përqind, krahasuar me burrat në kontribuojnë në vetëm 22 përqind. Përparimi i grave në role drejtuese është fare i vogël, ku nuk e kap as normën e 1 përqindëshit, po ashtu edhe gratë bashkëpronare në firma, shënojnë një shifër prej 0.14 përqind dhe 0.13 përqind janë gratë menaxhere të larta, në firmat shqiptare.  Punëdhënës femra janë vetëm 1 përqind, kundrejt 22 përqind burra. Sa i përket pritshmërisë së jetës së shëndetshme, Shqipëria renditet e 86-ta. Gratë që bëjnë jetë beqare në Shqipëri shënojnë një shifër prej 25 përqind, krahasuar me burrat, në 29 përqind. Gratë e martuara nga mosha 25 vjeçare, shënojnë një shofer prej 37 përqind, krahasuar me 9.8 përqind meshkuj të martuar, nga kjo moshë. Në nënindeksin e Fuqizimit Politik, Shqipëria renditet në vend të 34-t, por sa i përket përfaqësimit të grave në parlament, renditet e 47-ta, në kontrast me përfaqësimin e grave në poste ministrore, ku Shqipëria renditet në vend të 10-të. Duke mos pasur asnjë  grua në krye të shtetit, për të paktën 50 vitet e fundit, Shqipëria renditet në vend të 71-t, por janë shumë vende që nuk kanë pasur në krye të shtetit një grua, në këtë periudhë kohore. Kuotat e grave në listat zgjedhore mbeten në normën e 30 përqindëshit, si në rang global ashtu edhe lokal.

Gjermania më pak gra në parlament

Europa Perëndimore kryesohet nga Islanda, që kryeson edhe renditjen botërore dhe vendet e tjera nordike, ndërsa fqinjët tanë, Italia vjen në fund të kësaj liste, e renditur e 70 – ta globalisht, ndërsa Greqia e 78-ta. Për kontrast, Gjermania, e renditur në vend të 14-të, përjeton disa ndryshime në përparimet e fundit, duke u ulur me dy vende, për shkak të zgjerimit të hendekut gjinor tek gratë në parlament. Për më tepër, hendeku i saj gjinor në Arritjet në Edukim mbeten të hapura, Gjermania renditet e fundit në rajonin e Europës Perëndimore në këtë nën indeks.

Edhe Mbretëria e Bashkuar, e renditur në vend të 15-të, këtë vit regjistroi një nivel të përgjithshëm, të ngjashëm me barazinë gjinore të Gjermanisë, duke parë përmirësimet në nën indeksin e Fuqizimit Politik. Italia, e renditur në vend të 70-të, ka përmirësuar rezultatet e saj dhe përpiqet të mbyll ë më shumë se 70 përqind të hendekut të përgjithshëm gjinor. Kjo i atribuohet edhe një norme më të madhe të grave parlamentare, përmirësimeve në barazinë e pagës për punë të ngjashme dhe një mbyllje e mëtejshme e hendekut gjinor të vendit në të ardhurat e fituara. Greqia, e renditur në vend të 78-të, ngjashëm përpiqet të rrisë përfaqësimin e ligjbërësve femërorë, zyrtareve dhe menaxhereve.

Nëse normat aktuale do të mbahen në të ardhmen, hendeku i përgjithshëm global do të mbyllet në 61 vite në Europën Perëndimore, 70 vjet në Azinë e Jugut, 74 vjet në Amerikën Latine dhe Karaibe, 135 vjet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën sub-Sahariane, 124 vjet në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, 153 vjet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, 171 vjet në Azinë Lindore dhe Paqësor dhe 165 vjet në Amerikën e Veriut. Ndërsa këto vlerësime pasqyrojnë hapin e vëzhguar deri tani drejt arritjes së barazisë gjinore, politikëbërësit dhe të tjerë grupe interesi mund të përshpejtojnë këtë proces dhe duhet të ndërmarrin aksione më të forta në vitet që vijnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë