Njerez

10 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në BE. Agjencia europiane: Kriza e emigracionit po kalon shifrat e 2015-s

Nga Gazeta 'SI' - Për periudhën janar-shtator 2022, 9.611 shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, sipas shifrave të Agjencisë Europiane për Azil, EUAA. Në raport vjetor aplikimet janë rritur me mbi 27%, kur llogariteshin 7.500 aplikime. Vetëm në shtator, ka pasur 1.415 kërkesa.

Nga vendet e rajonit, Shqipëria mban vendin e parë, ndjekur nga Maqedonia dhe më pas Serbia.

Të dhënat EUAA tregojnë se aplikimet për azil në BE gjatë 9 mujorit kanë thyer rekordin e viteve 2015-16, 98.000 aplikime. Vendi i parë i takon sirianëve, me më shumë aplikime, duke kaluar afganët në vend të dytë. Agjencia tregon se ka pasur rritje të ndjeshme edhe nga rusët, përpos ukrainasëve.

Për shtatorin, më shumë se 5.000 aplikantë ishin minorenë të pashoqëruar.

Politikbërësit e vendeve europiane nuk kanë hezituar të njoftojnë se Europa po përballet me një krizë të re emigracioni, që në fakt mund të dalë më keq se ajo e 7 viteve më parë, për shkak të ndryshimeve gjeopolitike dhe qasjeve populiste që po fitojnë terren në kontinent.

Situata me azilkërkuesit shqiptarë është bërë tashmë e njohur për të gjithë botën, pas thumbimeve virtuale, të kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesëve të qeverisë britanike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë