Është data 1 prill 2001. Në Amsterdam, për herë të parë në botë legalizohen martesat e homoseksualëve. Në Beograd, gjatë mbrëmjes është arrestuar ish-diktatori Sllobodan Millosheviç nga forcat speciale për t’iu dorëzuar Gjykatës së Hagës, i akuzuar për krime ndaj njerëzimit në luftërat jugosllave.
Italia në këtë datë gdhihet me diell, por në Torino bën pak ftohtë. Zidan dhe Baxhio mbajnë fanella me krahë të gjatë: francezi atë të Juventusit me vija, kurse italiani atë të Breshias të ngjitur në Serinë A. Nuk duken në formë dhe Zidan ndërrohet me brazilianin Athirson, 24-vjeçari që debuton në Serinë A dhe më pas humb gjurmët.
Në “Delle Alpi”, Juventusi i Ançelotit është në avantazh me një gol të Xambrotës. Në mesfushë është pikërisht Xambrota që i dorëzon topin Andrea Pirlos 21-vjeçar, i ardhur te Breshia për të marrë veten. Macone e shtyn skuadrën përpara. Baxho luan pas krahëve të Dario Hubner, ndërkohë që në fushë është edhe Igli Tare. Trajneri Macone i shkurton fushën Pirlos, duke e kaluar nga trekuartist në regjisor. “Merrja topin nga mbrojtja dhe kërkoja direkt Roberton”, - tregon vetë Pirlo. Kanë mbetur edhe 4 minuta nga fundi, Pirlo e prek topin dy herë dhe me një parabël gjen Baxhon, i cili i shpëton pozicionit jashtë loje, kthen kokën për të parë portierin Van der Sar që i afrohet, nuk gjuan drejt portës, e kontrollon bukur me të djathtën thuajse duke e zhdukur sferën dhe spostohet me trup në të majtë. Më pas e përcjell në rrjetë.
Macone e kujton kështu atë gol. “Finte, finte tjetër, e ul me by*** në tokë, e fsheh topin dhe e dërgon në rrjetë me një lehtësi ekstreme”. Baxho dhuron një nga golat e tij më të bukur në karrierë, është goli i tij i 167-të në Serinë A, ndërsa “Delle Alpi” mbetet pa fjalë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.