Njerez

1 mln kërkesa azili në BE vitin e shkuar, 7% ishin shqiptarë. Mungojnë të dhënat e Britanisë

Nga Gazeta ‘SI’ - 10.255 shqiptarë aplikuan për herë të parë për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian gjatë vitit të shkuar. Eurostat e liston vendin tonë të pestin për nga numri i lartë i azilkërkuesve, 7% e totalit, fill pas ukrainasve dhe rusëve, që janë në gjendje lufte. (Sipas Eurostat “për herë të parë” janë aplikantët që nuk kanë tentuar kurrë më parë të kërkojnë azil në një vend të huaj dhe nuk kanë kaluar asnjë proces të tillë më parë.)

Eurostat raporton statistikat vetëm për vendet e BE-së dhe aty nuk përfshihet Mbretëria e Bashkuar, që do të thotë se numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Europë është më i lartë. Sipas mediave britanike, 14.223 shqiptarë kanë aplikuar atje për azil.

Ndërkohë, të gjitha vendet europiane kanë përjetuar lëvizje mazive vitin e shkuar, me rritje 64% nga 2021-shi, shifër e pa parë që nga kriza e emigracionit në 2014-2016 nga luftërat në lindjen e Mesme.

Nga 881 mijë azilkërkues në 2022-shin, 132 mijë ishin vetëm nga Siria, që mban vendin e parë, ndjekur nga afganët, turqit dhe venezuelasit.

Pas agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, pati një rritje të madhe të azilkërkuesve ukrainas për herë të parë (361.2% më shumë persona krahasuar me vitin 2021). Në vitin 2022, numri i azilkërkuesve për herë të parë me shtetësi ukrainase u rendit i 11-ti në mesin e të gjitha shtetësive, me 24.720 aplikime (2.8% e totalit të BE-së). Ukrainasit kanë zgjedhur më së shumti Rumaninë, me 4.365 të regjistruar atje.

Gjermania është rikthyer përsëri në pozicionin e parë dhe më të preferuar të azilkërkuesve, me rreth 218 mijë aplikues gjatë 2022-shit, 25% e totalit. Ajo u pasua nga Franca me 137 mijë ose 16% e totalit, Spanja, me 116 mijë dhe 13.2%.

Pothuajse 80% e azilkërkuesve për herë të parë në BE në 2022 ishin nën 35 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë