Më shumë se 1000 efektivë policie nga Tirana, por edhe qytete të tjera, janë transferuar përkohësisht në zonat bregdetare të vendit me qëllim forcimin e masave të sigurisë gjatë sezonit turistik.
Komandimi i efektivëve, kryesisht i atyre të rendit dhe krimeve është një domosdoshmëri në kushtet kur stacionet policore në zonat bregdetare apo komisariatet kanë numër të limituar punonjësish dhe nuk e përballojnë dot menaxhimin e fluksit të pushuesve shqiptarë dhe të huaj që frekuentojnë këto zona. Shumica e forcave shtesë policore janë dislokuar që në fillim të korrikut në bregdetin e jugut, por edhe në zona të tjera, ndërkohë që kufizime do ketë edhe për drejtuesit e policisë.
Gjithashtu me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë janë pezulluar edhe lejet e pushimit për titullarët e policisë në drejtoritë e qarqeve deri në përfundim të sezonit turistik.
Forcimi i masave të policisë synon mbarëvajtjen e sezonit turistik, sa i takon rendit dhe sigurisë publike, pasi vitet e kaluara nuk kanë munguar incidentet kur turistët shqiptarë dhe të huaj janë grabitur ose përfshirë në ngjarje të tjera. Ngjarja e rëndë e Dhërmiut fundjavën e shkuar, ku një person terrorizoi një lokal nate duke qëlluar me armë, tregoi edhe njëherë nevojën e forcimit të elementit policor në plazhe. Në Vlorë ishte këtë të shtunë edhe ministri i brendshëm, Fatmir Xhafaj për të inspektuar masat e marra.
Ndërkohë, Policia e Shtetit në të gjitha pikat e kalimit kufitar po shpërndan fletëpalosje me këshilla për pushuesit e huaj në anglisht dhe italisht, për pushuesit nga Kosova, si dhe për shqiptarët që kthehen për të pushuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.