Financa Personale

1/4 e popullsisë nuk përballoi financiarisht ekzaminimet shëndetësore dhe dentare më 2019

Gati çereku i popullsisë së rritur në vendin tonë e patën të pamundur të përballojnë financiarisht në vitin 2019 ekzaminimet mjekësorë dhe trajtimin dentar, raportoi INSTAT.

Anketa e INSTAT ka zbuluar se, nevojat e paplotësuara për ekzaminim ose trajtim mjekësor ose dentar lidhen me një sërë arsyesh ku mund të përmenden mos përballimi financiar i shërbimit (shumë i shtrenjtë), pritja në listë, mungesa e kohës për shkak të punës, largësia ose mungesa e transportit, në pritje se mos kalon vetë problemi i tyre shëndetësor, etj.

Në vitin 2019, 82.0% e individëve 16-vjeç e lart kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë shumë mirë ose mirë kundrejt 81.8% që ishte në vitin 2018.

Bazuar në vetë-perceptimin e individëve 16 vjeç e lart 4.8% e individëve kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë keq ose shumë keq, duke pësuar rënie me 0.3 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018.

Në Shqipëri paketa e rimbursimit të medikamenteve është shumë e ulët dhe nuk plotëson nevojat e gjera të popullatës. Gjithashtu ndryshe nga vende të tjera në Shqipëri shërbimet dentare janë të përjashtuara nga rimbursimi.

Një tjetër raport i Eurostat tregoi se 13.5% e shqiptarëve vetë-deklaruan në vitin 2019 se ata nuk kanë mundësi që të plotësojnë nevojat për ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta. Përqindja më e lartë është në Veri, me 21.3%. Më pas renditet Jugu i vendit me 11.6% dhe më të ultën e ka Qendra, me 9.3%.

Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit dhe Europës, përqindja e personave që vetë-deklarojnë se nuk kanë mundësi të kryejnë ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta, është shumë më e lartë.

Pas nesh renditet Kosova, me 8.45 (për vitin 2018), Serbia e ka këtë tregues 2.6%, Turqia 2.4%, Maqedonia e Veriut 1.6%, Mali i Zi 0.1% (për vitin 2018). Të lartë e ka këtë tregues edhe Greqia, në 7.5%, ndërsa për vendet e tjera të Europës nuk shkon më shumë se 4%. P.sh. në Itali, përqindja e personave në pamundësi për t’u ekzaminuar është 1.3%, ndërsa në Spanjë, Maltë, Suedi, Slloveni është zero.

Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u luhatur në mes 2.5-3% të PBB-së ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Europës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që, sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë