Lajme

1.3 ton kokainë hyri përmes Shqipërisë, SPAK bashkëpunoi me amerikanët

Detaje të reja janë zbardhur nga sasia e madhe e kokainës prej 1.3 ton, që u kap mbrëmjen e kaluar në një magazinë frutash, në Maqedoninë e Veriut.

Mësohet se droga është futur në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në Shkodër, me tre kamionë frigoriferikë, që drejtoheshin nga tre shoferë malazezë.

Siç shkruajnë mediat maqedonase, kokainë ka pasur vetëm në njërin prej kamionëve dhe droga është kapur në brendësi të ngarkesës me banane që ka hyrë nga Mali i Zi në Shkodër (Shqipëri) dhe ka dalë nga dogana e Qafë Thanës për në Maqedoni.

Lënda narkotike është sinjalizuar që në Itali, prej ku autoritetet atje kanë bërë zëvendësimin e kokainës me një lëndë tjetër, duke mbajtur nën vëzhgim kamionët, për të zbuluar destinacionin e tyre. Ndërkohë, SPAK është lajmëruar nga Italia për ardhjen e ngarkesës. Në territorin shqiptar janë lënë të kalojnë, pra nuk është bërë kontrolli i ngarkesës, por vetëm i dokumentacionit.

Kamionët pasi kanë hyrë në Hanin e Hotit, i janë drejtuar pikës kufitare të Qafë Thanës, duke kaluar më tej në Maqedoninë e Veriut, në Krushopek të Sarajit, afër Shkupit, aty ku është bërë edhe shkarkimi i sasisë së kokainës.

Aty kanë ndërhyrë edhe autoritetet dhe në aksion janë përfshirë DEA Amerikane, Guardia di Finanza, policia shqiptare dhe policitë e vendeve të tjera të rajonit.

Mediat maqedonase thonë se deri më tani janë arrestuar të paktën 3 persona, 2 shoferë  kamioni dhe 1 magazinier që punonte në magazinën e frutave ku u gjet edhe droga.

Sipas informacioneve të para jozyrtare kokaina fillimisht ka ardhur nga Kolumbia (Amerika e Jugut) në Bar (Mal i Zi) e duhej të përfundonte në Koper (Slloveni). Por destinacioni ndryshoi. Kamioni është me targa të Maqedonisë dhe gjendet i bllokuar nga policia në magazinën e frutave në Krushopek të Sarajit.

Ministri maqedonas: Në Krushopek u konfiskua vetëm një kilogram kokainë, pjesa tjetër në shtet tjetër

Ndërkohë, ministri teknik për Punë të Brendshme në Maqedoni, Naqe Çulev, ka konfirmuar sot se gjatë aksionit të mbrëmshëm në Krushopek të Sarajit është konfiskuar vetëm një kilogram kokainë.

Çulev gjithashtu theksoi se droga ka prejardhjen nga Kolumbia, derisa kokaina është gjetur në një depo për fruta në Krushopek.

“Operacioni është realizuar nga 17 deri më 19 shkurt, derisa mbrëmë deri vonë Njësiti për operacione speciale ka kryer bastisje në depon e Baneks kompani, e cila afro 120 herë ka kryer import të frutave në pjesën më të madhe nga Kolumbia, ndërsa në sasi më të vogël edhe nga Ekuadori. Në rast se gjatë hetimit del që edhe persona tjerë dhe kompani tjera janë të përfshira, atëherë hetimi do të zgjerohet. Në shtetin tonë është konfiskuar vetëm një kilogram, sasia tjetër është në shtet tjetër, bëhet fjalë për një sasi të madhe por nuk mund ta them për të mos dëmtuar hetimin. Ditëve në vijim do të mësoheni me detajet por edhe sasinë e drogës”, tha Çulev, duke mos dhënë detaje të tjera.

Reagimi i policisë shqiptare

Ndërkohë, ka reaguar edhe policia shqiptare për sasinë e madhe të kokainës që u kap në Maqedoninë e Veriut, e cila kaloi përmes Shqipërisë.

Me anë të një njoftimi për mediat, policia bën me dije se operacioni ishte ndërkombëtar dhe roli i policisë shqiptare synonte dorëzimin e kontrolluar të kësaj sasie lënde narkotike në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.

“Në përgjigje të interesimit të disa mediave, njoftojmë se Policia e Shtetit ka kryer me sukses të plotë detyrimet e saj në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës.

Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti”, thotë policia në njoftimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë