Muzike

Sanremon e fiton një italo-egjiptian. Kritikët: politikë e majtë

Ritme rap, një poezi rruge që u këndon parave dhe disa vargje në gjuhën arabe. Është kjo kënga fituese e edicionit të 69-të të Festivalit të Sanremos, që duket se la të habitur më shumë se të gjithë vetë këngëtarin, i njohur me emrin e artit, Mahmood. Në një vit ku mbizotëronin emrat e mëdhenj të muzikës italiane si Loredana Bertè, Daniele Silvestri, Nek, Francesco Renga, Patty Pravo, Simone Cristicchi, Negrita apo Paola Turci, më i habitur nga të gjithë për këtë fitore të befasishme ishte vetë këngëtari, i cili zgurdulloi sytë teksa emri i tij u thirr si fituesi i festivalit të muzikës italiane, në skenën e teatrit “Ariston”. Kënga, e titulluar “Soldi” (Pare), la pas artistë si Ultimo, i renditur i dyti dhe Il Volo, në vend të tretë. “As vetë nuk e besoj, është e pabesueshme”, ka thënë i riu, ndërsa u shoqërua me fërshëllima nga publiku, të cilët thërritën në kor “Loredana, Loredana”, duke iu referuar këngëtares Loredana Bertè, e cila iu rikthye skenës së festivalit pas shumë vitesh. I menjëhershëm ka qenë postimi në rrjetin social “Twitter”, i Matteo Salvinit. «Mahmood… bah, kënga italiane më e bukur?! Unë do të kisha zgjedhur Ultimo, ju ç’mendim keni?” u shpreh ministri i Brendshëm italian, duke mbledhur mijëra replika në pak çaste.


Pak më vonë, gjatë konferencës së shtypit, pas fitoresh, i pyetur rreth polemikave mbi emigrantët, që shpërthyen përpara festivalit mes Salvinit dhe drejtorit artistik Claudio Baglioni, vetë Mahmood do të përgjigje: “Jam italian, i lindur dhe i rritur në Milano. Nuk ndihem i tërhequr në këtë kauzë. Në këngë vendosa në frazë arabe që është një kujtim i fëmijërisë sime, por jam italian në njëqind përqind.”Fëmijë i në nëne nga Sardenja dhe i babai egjiptian, Alessandro Mahmoud, i njohur me emrin e artit Mahmood, debutoi në botën e muzikës më 2012-ën falë programit “X Factor”, ndërsa më 2016-ën mori pjesë në Sanremo, në seksionin “propozime të reja”, ku u klasifikua i katërti. Ai është gjithashtu autor këngësh. Ka krijuar këngën “Nero Bali” për Elodie, “Hola”, për Marco Mengoni dhe Tom Walker dhe këngën “Luna”, në duet me Fabri Fibra. Pasi u rendit mes të parëve në “Sanremo Giovani” më 2018-ën me këngën “Gioventu bruciata” (Rini e djegur), Mahmood siguroi një vend në “Ariston”, ku edhe u kurorëzua si fituesi për këtë vit.

https://www.youtube.com/watch?v=ogqRjzZjFSE


Tema kryesore e këngës “Soldi” është interesi ekonomik që fshihet pas një marrëdhënieje, ndërsa protagonist është figura atërore, ndoshta një referim autobiografik i artistit të ri, i cili e portretizon këtë figurë si prej botës arabe, duke përdorur fjalë si “Ramazan” apo “Nargjile”.

Në periferi bën shumë nxehtë
Jam duke ardhur, mami rri e qetë,
Do të nxehesh me një gënjeshtar
Të ngjante dashuri, por ishte diçka tjetër
Pi shampanjë në Ramazan
Në TV po japin Jackie Chan

Kontrasti shampanjë – Ramazan, që përdor këngëtari, i cili e ka shkruar vetë këngën, në bashkëpunim me Dardust de Charlie Charles, duket se nënvizon pikërisht këtë dallim mes anëve të ndryshme të botës. Kjo fitore, e cila erdhi si rezultat i votave të grumbulluara nga juria profesioniste, juria e gazetarëve dhe ajo e publikut nga shtëpitë, i ka ndarë italianët më dysh.

logo hippo

Duket se të rinjtë kanë qenë më të hapur për të pranuar ritmet e kësaj kënge, sesa italianët konservatorë, mbi pesëdhjetë vjeç. Shumë kanë guxuar ta cilësojnë këtë fitore si gjunjëzim i italianëve ndaj botës arabe.

Waladi Waladi habibi ta’aleena
Më thoshe me pamje krenare
Waladi Waladi habibi tingëllonte e vërtetë
Dëshira, dëshira për t’u kthyer si më parë
Unë prej teje nuk desha pare.
Është e vështirë të rrish në botë
Kur humbet krenarinë
Në një ditë e lë shtëpinë

“Të mos flasim broçkulla, ç’dreq kënge është? Në këtë fitore është pas politika, ose e kanë votuar e gjithë bota arabe. Shijet janë të drejta, e vërtetë, duke pasur parasysh të shkuarën, por këtu kemi mbërritur në nivel vërtet qesharak.” , shkruan një tjetër komentues, duke i referuar edhe edicionit të vitit të kaluar, ku fitues u shpall dueti mes Fabrizio Moro dhe këngëtarit me origjinë shqiptare Ermal Meta. Në këtë edicion Moro ka zgjedhur të konkurrojë i vetëm, ndërsa Ermal Meta ka qenë i ftuari special i Simone Cristicchi-it, në natën e dueteve, ndërsa ka kënduar me të këngën e ndjerë “Abbi cura di me”, e renditur në vendin e pestë në klasifikimin final.


Për këngën “Soldi”, vetëm Mahmood ka thënë se bëhet fjalë për një histori personale. Edhe pse ai nuk bën referenca eksplicite, duket qartë se është frymëzuar nga historia e familjes së tij. “Çdo herë që e këndoj është shkarkim adrenaline. Jam i kënaqur që sjell historinë time në një skenë kaq të rëndësishme: më pëlqen ideja të ekspozohem dhe të zbuloj. Një artist, për të qenë i tillë, duhet të dijë të rrëfejë një realitet, edhe kur është e vetja, si në këtë rast”, ka thënë i riu, përpara finales.

Tymos nargjile më pyet si je
Më pyet si je si je, si je
E di si jam, si jam si jam si jam
Mendoj edhe më shpejt për të kuptuar se nesër do të ma hedhësh
Nuk kam kohë për të sqaruar sepse vetëm tani e di çfarë je
E vështirë të rrish në botë kur humbet krenarinë, në një ditë lë shtëpinë.

“Me siguri, Festivali i Sanremos, Festivali i Unitetit, ka dashur të importojë dhe të kurorëzojë tingullin arab. Përpara mbushin gojën me muzikë italiane, pastaj fitoren ia japin këngës me melodinë më pak italiane, nga të gjitha. Pas kësaj shpresoj që, Baglioni të mos vërë më këmbë brenda atij teatri. Shpërfillje e pastër ndaj Loredana Berte-së, së cilës nuk i dhanë as gjysmë çmimi. Turp”, shkruan një komentues në Facebook, ndërsa pas mbylljes së këtij edicioni të 69-të, që e shndërroi teatrin e Aristonit në një spektakël muzike për pesë net, me pjesëmarrjen e veçantë të shumë artistëve të mëdhenj, debati ka vijuar duke hedhur në diskutim nëse në këtë epokë, Italia duhet të përqafojë muzikën globale apo të përfaqësohet me muzikën e saj tradicionale. “Qesh, sepse njerëzit indinjohen duke thënë se ia dhanë fitoren një këngëtari arab, disa e quajnë maroken, disa turk, epo mirë me gjeografinë nuk janë aq të zotë! Por ai është italian, i lindur në Itali dhe nuk flet arabisht”, mendon një tjetër komentues italian.

Më thuaj a
mendove vetëm për paret, paret,
Sikur t’kisha pasur pare
Më thuaj a të mungoj apo s’të plas
Më pyesje si je, si je, si je
Tani si je si je si je
At’ që duhet ta thoshe nuk e the

Edhe pse kënga është një histori personale, duket se debati që ka hapur është shumë më i gjerë se kaq. Disa e shohin si kundërpërgjigje e politikave të djathta e populiste, që kulmojnë me Salvinin dhe deklaratat e tij kundër pranimit të emigrantëve.
“Gjithçka për t’i shkuar kundër personazheve politikë, gjithçka për të bërë politikë. Nuk është kjo metoda për të sulmuar idetë e Salvinit, dhe jua shkruan dikush që nuk e ka votuar kurrë Lega-n. Nuk bëhet që, duke ia dhënë me çdo kusht festivalin e Sanremos, një italo-egjiptiani me një kanconetë, mund të shijosh hakmarrjen.”, shkruan një tjetër komentues.

Nga e majta, Claudio Baglioni, Virginia Raffaele, Mahmood dhe Claudio Bisio.


Të tjerë mendojnë se ky edicion i ka dhënë fund traditës së këngës italiane dhe shumë italianë mendojnë se edhe votat e tyre janë manipuluar. Në zgjedhjen e fituesit, votat e teleshikuesve kanë 50 përqind peshë, ajo e gazetarëve 30 përqind dhe e jurisë profesioniste 20 përqind. “Mos e quani më festival të këngës italiane. Është fyerje për Italinë”, mendojnë disa, ndërsa shkruajnë me nostalgji për një festival të dikurshëm të “Baudos dhe artistëve të vërtetë, festivali i një Italie që nuk ekziston më”. Këtë vit, festivali u prezantua nga drejtori artistik Claudio Baglioni, komediania Virginia Raffaele dhe aktori Claudio Bisio, të cilët udhëhoqën audiencën mes 24 këngëve konkurruesve në pesë net. Të tjerë komentues e kanë mbrojtur fitoren duke thënë se do i sjellë freski muzikës italiane. “Më pëlqen kjo këngë, por më vjen keq që treçereku që komentojnë këtu, janë racistë”, shkruan dikush . Të tjerë, edhe të kujdesshëm ndërsa e shprehin mendimin e tyre, e shohin si çështje fetare; Italia e parë si kryeqendra e krishterimit, çon në Israel, në festivalin e Eurovizionit - që këtë vit mbahet më 18 maj në Tel Aviv – një artist me origjinë nga bota arabe.

“Islami fiton Sanremon . Të qarta mesazhet dhe referimet politike, sociale dhe religjioze. Ky vit ishte i 69-ti edicion, ai i harmonisë. Papa shkon në Emiratet e Bashkuara Arabe duke shpallur, duke kërkuar një paqe, vëllazëri, harmoni mes popujve. Gjithçka është e lidhur. Mesazhe të tjerë Shampanja –Franca, perëndimi kundrejt Ramazanit -Islamit. Çfarë duan të thonë me këtë Cili është mesazhi? Nënshtrim? Hapje ndaj botës së Lindjes? Fuqia e mesazheve dhe vetë mesazhet janë shumë të fuqishëm. Në lojë nuk është një këngë e thjeshtë. Në lojë janë idealeve e kujt dëshiron një botë krejt të ndryshme”, shkruan një komentues në faqen e Facebook-ut të Festivalit të Sanremos. Mbetet të shihet sesi do ta presë skena më e gjerë e muzikës europiane, këngën e të riut, që ndoshta as e mendoi se do të ishte sot, në qendër të polemikave të mëdha, që e kapërcejnë ritmin dhe mesazhin e këngës së tij, frymëzuar nga një histori personale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë