Njerez

Ndeshja më e ftohtë e historisë, tre shqiptarë rrezikuan të merrnin plevit

Ka pasur shpesh raste në futboll, që ndeshje të caktuara të luhen në kushte ekstreme atmosferike, por a mund të luhet një ndeshje në -14,9 gradë? Në Rusi, po. Aq më tepër në Siberi. Në këtë vend janë mësuar me temperaturat e ulëta dhe ngricat, megjithatë këtë radhë është kaluar çdo limit. Ndeshja Enisej Krasnojarsk-Akhmat Grozni ka hyrë në historinë e futbollit si ndeshja më e ftohtë. Dhe tre shqiptarë e kanë vuajtur në kurriz...

Dy futbollistë të Kombëtares, Bekim Balaj dhe Enis Gavazaj, si dhe lojtari i Kosovës, Bernard Berisha, kanë çfarë t’u tregojnë familjarëve, shokëve dhe miqve të tyre nga përvoja ruse. Të shtunën e 1 dhjetorit kanë parë tmerr me sy në stadiumin e akullt, ku gjatë ndeshjes temperaturat shkuan gati -15 gradë. Dy prej tyre, Balaj dhe Berisha, të dy lojtarë të Akhmat Groznit, zbritën në fushë si zëvendësues, ndërsa Gavazaj, i cili aktivizohet me Jenisejin, e ndoqi gjithë ndeshjen nga stoli. Ndoshta ishte më keq për këtë të fundit, pasi duke qëndruar i palëvizur, e ka vuajtur më shumë të ftohtin ekstrem. Do ta kishte provuar këtë acar edhe Odise Roshi, një tjetër lojtar i Kombëtares që luan për Akhmat Groznin, madje që nga minuta e parë, por fieraku është i dëmtuar dhe nuk ishte me skuadrën.

Lojtarët e dy skuadrave dalin në fushën e stadiumit të Jenisejit

Ndeshja u mbyll 1-1, por pavarësisht këtij rezultati, trajneri i Akhmat Groznit, Rakhimhov, është ankuar për kushtet tejet të vështira: "Lojtarët rrezikuan gjithë kohën të merrnin bronko pneumoni, por askujt nuk i ka interesuar. Në kushte të tilla nuk duhej të ishte luajtur ndeshja”, - tha ai. Interesant është fakti se edhe në kushte të tilla në stadium ishin të pranishëm rreth 2000 tifozë.

Krasnojarsk është qyteti i tretë më i madh në Siberi, pas Novosibirskut dhe Omskut. Në dimër temperaturat në këtë qytet, shkojnë deri në -47 gradë celsius. Anton Çehov e ka konsideruar qytetin më të bukur të Siberisë, megjithatë duket pak i përshtatshëm për futbollin. Skuadra e futbollit mban emrin e lumit Jenisej, që ndan qytetin. Ajo drejtohet nga ish-futbollisti i kombëtares ruse dhe Portos, Dmitri Aleniçev. Është ngjitur këtë sezon në elitën e futbollit rus dhe aktualisht mban vendin e fundit në renditje, me 10 pikë. Në verë me këtë skuadër është bashkuar edhe Enis Gavazaj, i cili ka luajtur në Shqipëri me Skënderbeun dhe është pjesë e Kombëtares kuqezi.

Berisha, Roshi dhe Balaj, tre shqiptarët e Akhmat Groznit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë