Njerez

Tenori Ramë Lahaj: O ku ka si ti, o moj Kosova ime !


Në një sfond të bardhë mbuluar me dëborë, një njësi e Ushtrisë së Kosovës, ngrenë flamurin e shtetit mbi një majë mali, ndërsa në sfond dëgjohet zëri i tenorit Ramë Lahaj që këndon një version të përshtatur të këngës  “Rrjedh në këngë e ligjërime” , me vargje si “O ku ka si ty, o moj Kosova ime, o shqiponja përmbi gur”, i cili shfaqet duke vizituar varrin e Adem Jasharit me një buqetë lulesh në duar. Është ky projekti i parë i tij si ambasador kulturor i Kosovës ka bërë me dije vetë tenori, i cili e ka postuar videon muzikore, një ditë përpara kremtimeve të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 20 vjetorit nga lufta. “Në këto kohëra të vështira me temat rreth kufijve dhe shumë të ri që na ikin çdo ditë nga vendi, do të doja që ky të ishte mesazh shprese. Përndryshe me FSK-në ishim dhe e ngritëm flamurin andaj të gjithë njëzëri të themi  “Mos na e prekni kufirin””, ka shkruar Lahaj. Përpara se të niste një karrierë si këngëtar klasik, Lahaj ka qenë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , në luftë për çlirimin e vendit gjatë konfliktit të vitit 1999.

Të dashur bashkatdhetarë. Ky është video-projekti im i parë që si Ambasador i Kulturës në mbarë botën ia kushtoj Kosovës.Në këto kohëra të vështira me temat rreth kufinjve dhe shumë të ri që na ikin çdo ditë nga vendi, do të doja që ky të ishte mesazh shprese. Përndryshe me FSK-në ishim dhe e ngritëm flamurin andaj të gjithë njëzëri të themi ' Mos na e prekni kufirin'. Videon e plotë mund ta shihni nesër në 11 vjetorin e krijimit të shtetit e 20 vjetorin e çlirimit. Të duam Kosovë!————————————————My dear all. This is my first video project that I am dedicating to Kosovo as an Ambassador for Culture in the world. In these difficult times with the issue of the borders and many young people that are leaving the country everyday I would like this to be a message of hope. Otherwise with the Kosovan army we raised the flag so let's say it unanimously 'Do not touch our borders'. You can watch the full video tomorrow on the 11th anniversary of the state's creation and the 20th anniversary of liberation. We love you Kosovo!Directed by @bledbujupi @bledit_uk Bes Bujupi

Gepostet von Rame Lahaj am Samstag, 16. Februar 2019

Në një postim të mëhershëm në Facebook, në kuadër të trendit “10 Years Challenge”, tenori postoi dy fotografi të tij me diçiturën “20 vjet ndryshim: Ushtar në luftë, ushtar në paqe”, ndërsa shfaqej në në foto gjatë Luftës, si ushtar i UÇK-së, ndërsa në foton e dytë nga Opera e Barcelonës.  “Bonu luftëtar i fuqishëm i jetës tande dhe fito të gjitha betejat që ia ke vënë vetës për synim! Projekto dhe realizo strategjinë për luftën tande!  Mos u bon qyqar e me kalu’ kohën tuj u ankue se jeta asht e vështirë dhe hiç gjë s’shkon qysh duhet! Bonu ushtar i denjë dhe mos lë front të ëndrrave të tua pa e fitue”, shkruante Lahaj, ndërsa uronte nga Opera e Barcelonës, duke e quajtur si një prej fronteve të tij, të fituar me nder. Lahaj është nga ata shembuj të rrallë në botën e operas që doli mbi pritshmëritë e pedagogëve të tij, që pak besonin se ai student në mes të njëzetave, pa formim të mëparshëm profesional do të arrinte jo vetëm të  bëhej tenor, por edhe të shkëlqente në skenat botërore. Lahaj u lind dhe u rrit në Istog të Kosovës. Jo vetëm që asnjë nga familja e tij nuk kishin formim muzikor, por në vendlindje nuk kishte shkollë muzike.


20 vjet ndryshim: Ushtar në luftë, ushtar në paqe”, foto majtas gjatë Luftës, si ushtar i UÇK-së, foton djathtas nga Opera e Barcelonës.

Interesi i tij për muzikën nisi të shfaqej në moshën 21-vjeçare. Vendosi të ndiqte Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe më 2008-ën, u diplomua si student nderi.  Puna e tij e parë pas diplomimit ishte si drejtor artistik në kanalin “RTV 21” në Kosovë, ku punoi deri më 2011-ën, vit ku do ta linte Kosovën për të nisur në karrierë ndërkombëtare në muzikën operistike.

Ramë Lahaj si Alfredo në Traviata, Opera e Parisit, 2018

Roli i Alredos në “Traviatën” e Verdit ishte edhe debutimi i Lahajt në skenën operistike botërore, në 50 vjetorin e Festivalit “Eutin” në Gjermani. Më pas do të vinte roli i Makdafit tek “Makbethi”, në Operan Shtetërore të Hungarisë në Budapest. Gjermania do t’i jepte shans të shfaqej me një tjetër rol të rëndësishëm për repertorin e tij, si Rodolfoja tek  opera  “La Boheme”, në operan e Dortmundit. Brenda një viti performanca e tij nisi të merrte dimensione ndërkombëtare. Më 2012-ën, mori një ftesë nga Opera e Lionit në Francë dhe, në po të njëjtin vit veshi sërish rolin e Rodolfos në “La Boheme”, në Operan Kombëtare të Montpeljesë. Suksesin më të madh e pati pasi performoi rolin e Dukës së Mantovas në operan “Rigoletto”, në teatrin “Massimo” të Palermos.

Lahaj si Duka e Mantovas, “Rigoletto”, Opera e Varshavës, 2015.

Sezoni 2013-2014 ishte shpërblyes për artistin, duke e ngjitur në operat më prestigjioze  me rolet e Dukës së Mantovës ,në “Rigoletto”,  Alfredos  tek “Traviata” dhe  Rodolfo tek “La Boheme”, rol me të cilin u ngjit në “Royal Albert Hall”, në Angli. Karriera e Lahaj pa vetëm ngjitje duke prekur skenat më të mëdha Europiane si Opera  “La Monnaie” në Bruksel  dhe në “Haus fur Mozart”, në  Salzburg. Roli i Pinkerton  në operan “Madama Butterfly” ishte një nga debutimet më dramatike të artistit, performuar në Teatrin “Giaccomo Puccini”, në Torre Del Lago, Itali.

Në rolin e Pinkerton, “Madama Butterfly” Teatri Liceu, Barcelonë.

Më 2016-ën,  Lahaj u shpërblye me çmimin “Placido Domingo” në konkursin “Operalia”  në Meksikë. Ky sezon shënoi edhe debutimin e tij, në rolin e Edgardos në  “Lucia di Lammermoor” në Operan Kombëtare të Parisit, një nga veprat më të dashura të tenorit. Sezonin e kaluar do të interpretonte Faustin në Tel Aviv e më pas do të shfaqej në  disa skena si Opera Kombëtare e Finlandës, Teatri i Salernos, teatri Bolshoi në Moskë, Opera e Malmos dhe së fundi Teatrit “Liceu” në Barcelonë, në rolin e Pinkerton – toger i Flotës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës –  në operan “Madama Butterfly”, ndërsa ka evokuar në mesazhin e tij të postuar në Facebook, se njëzet vjet të shkuar ai ishte vërtet një ushtar, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Më Shumë