Njerez

Mikel Janku, sportisti dhe gazetari i pakompromis

Mëngjesi i 10 janarit ishte i trishtë për botën e sportit dhe të gazetarisë sportive në Shqipëri, për qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm. Mikel Janku, ish-portieri i Partizanit dhe Kombëtares, gazetari dhe zëvendëskryeredaktori i “Sport Ekspres”, ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare. Një nga figurat më të shquara të sportit dhe gazetarisë, nuk është më mes nesh. Njeriu super korrekt, i saktë dhe i gjithanshëm, siç e përshkruajnë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në një rrëfim të shkurtër për Gazeta Si, lë pas kujtime të bukura dhe të paharrueshme, lë pas modelin e profesionistit të rrallë.

Kush ishte Mikel Janku? Ai vinte nga një familje e njohur në Tiranë, i shkolluar për aviacion në Rusi, ku shkoi që në moshën 17-vjeçare. Jeta e tij ka qenë e lidhur ngushtë me sportin dhe Partizanin, ashtu si dhe vëllezërit e tij. Të gjithë e njohin si portierin e famshëm të Partizanit dhe të Kombëtares në vitet ’60-70. Shumë të tjerë e lidhin figurën e tij me atë të gazetarit dhe zëvendëskryredaktorit të “Sport Ekspres”, si dhe të opinionistit sportiv në RTSH. “Për mua është simboli i korrektësisë, përkushtimit në punë, simboli i një profesionisti të mirë, – thotë Fatmir Mneri, themelues dhe ish-kryeredaktor për shumë vite i gazetës “Sport Ekspres”. – Një profesionit i veçantë, që vinte nga të qenit ish-sportist, ish-trajner dhe ish-drejtues. Një njeri pa kompromis.

Po përmend një fakt: në gazetë mbulonte sektorin e vendit, kur i biri arbitronte dhe kuptohet sa e vështirë ishte për të. Por ai insistonte që çdo fjalë e një presidenti ekipi duhej të shkruhej në gazetë. Nuk kam njohur njeri më skrupuloz në punë se Mikel Janku. Është bashkëkrijues i “Sport Ekspres”, pagëzues i kësaj gazete. Pra, emrin e ka vënë ai, sepse ngaqë kishte studiuar në Rusi, zgjodhi emrin e një gazete të njohur në këtë vend, që vazhdon edhe sot e kësaj dite”.

Futbolli ishte dashuria më e madhe e Mikel Jankut, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Talentin e tij si portier e spikati i mirënjohuri Ismet Bellova, mësues i edukimit fizik në atë kohë dhe më pas të dy do t’i lidhte edhe gazetaria sportive në radio. Në një spartakiadë ushtarake të zhvilluar në stadiumin “Dinamo”, fiziku i Mikel Jankut ra në sy dhe më pas ai u bë pjesë e Partizanit. Kështu filloi të stërvitej përkrah emrave të mëdhenj si Maliqati, Papadhopulli, Dani, Resmja, Shllaku, Pano, Frashëri etj. “Personalisht, – kujton Uvil Zajmi, – ish-arbitër dhe gazetar, – e kujtoj Mikel Jankun që në fëmijërinë time, kur prisja që Partizani të mbaronte stërvitjen në Pallatin e Sportit dhe lojtarët kapërcenin rrugën për të bërë dush në krahun tjetër. Më pas bënim një copë rrugë bashkë. Në atë kohë, dashuria mes tij dhe Aleksandrës, që e kisha komshi, bëri bujë. Ishin një çift i veçantë. Miqësia jonë ka vazhduar ndër vite, sepse ishim shumë afër edhe me shtëpi.

Pastaj, unë arbitër dhe ai gazetar. E admiroja, ashtu si edhe babai im, që nuk ishte tip sportiv, sepse e vlerësonte për saktësinë. Ishte i sjellshëm, i edukuar, profesionist, mjaft i komunikueshëm, një model në të gjithë drejtimet. Ishte portieri që bënte përshtypje, sepse pati një shpërthim të bujshëm. E kujtoj shumë mirë ndeshjen me Torinon. Në vitet ‘90 na lidhi gazetaria. Më vjen mirë, sepse ka fituar çmimin “Anton Mazreku”, që e ka merituar plotësisht. Kujtoj me sa bujë u mor nga 17 Nëntori për të luajtur me Kilmarnokun. Një njeri i dashur edhe për klubet e tjera. Kujtoj që njerëzit shkonin në stadium për të parë Mikel Jankun. Në librin tim të dytë e kam personazh kryesor dhe më vjen shumë mirë për këtë gjë. Kohët e fundit e kam njohur më mirë dhe ishim më të lidhur”, – rrëfen Zajmi.

Dëmtim i të madhit Maliqati i dha Mikel Jankut shansin të debutonte me fanellën e Partizanit. Ka luajtur në barazimin 1-1 me Norçepingun në Tiranë, në Kupën e Kampionëve. Me largimin e Maliqatit, porta e Partizanit ishte e Mikel Jankut, i cili ka mbrojtur edhe portën e Kombëtares në ndeshjen e famshme me Gjermaninë (6-0), edhe pse i dëmtuar (ishte rregulli kur portieri nuk zëvendësohej). Ishte i madhi Loro Boriçi që i besoi. Numëron 9 ndeshje me Kombëtaren, në periudhën 1964-1967. Ka debutuar në humbjen 2-0 me Holandën në Roterdam dhe sigurisht që ka lënë gjurmë të paharrueshme në sport, ashtu si dhe në gazetarinë sportive, ku kujtimet janë më të freskëta për të gjithë. Lamtumirë Mikel Janku!

 

Më Shumë