Kombetarja

Zyrtarizohet rënia e kuqezinjve në renditjen e FIFA-s, Kosova ruan të njëjtin pozicion

Gazeta Si – Ashtu siç ishte parashikuar nga llogaritë e thjeshta, Shqipëria ka humbur dy vende në renditjen e FIFA-s, pas përditësimit të saj. Humbjet me Kilin dhe Suedinë janë reflektuar edhe në këtë renditje.

Kuqezinjtë kanë kaluar nga vendi i 64-t në të 66-tin. Shqipëria ka grumbulluar 1375.1 pikë, 7.9 pikë më pak në krahasim me renditjen e fundit. Edhe pse skuadra e Silvinjos është kualifikuar për në Europianin e Gjermanisë, në renditjen e FIFA-s ka humbur terren.

Nga skuadrat në grupin e kuqezinjve në Euro 2024, Spanja mban vendin e 8-të, Italia të 9-tin dhe Kroacia të 10-in. Renditja e FIFA-s kryesohet nga Argjentina kampione bote, më pas vijnë Franca dhe Belgjika.

Kosova ruan të njëjtin pozicion në këtë renditje, vendin e 102-të. “Dardanët” luajtën së fundi dy miqësore, ku fituan në Armeni dhe u mundën nga Hungaria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë