Futboll

Zyrtarizim titulli në derbi, Partizani përgatit festën e dyfishtë

Po vjen ora e titullit kampion te Partizani. Pas 26 vitesh. Prej javësh të kuqtë konsiderohen kampionë, duke parë edhe hezitimin e Kukësit për një sulm të fundit, por të dielën Partizani mund të festojë lirshëm, sepse mund të jetë kampion edhe zyrtarisht. Gjithçka e ka vetë në dorë, mjafton të mundë Tiranën dhe shishet e shampanjës do të hapen, pavarësisht rezultatit të rivalëve.

Edhe në klubin e kuq e ndiejnë se po vjen ora e festës së madhe. Në faqen zyrtare të Partizanit është publikuar sot një foto e ekipit të sezonit 1992-1993, i fundit që fitonte titullin kampion, nën drejtimin e trajnerëve Sulejman Starova dhe Hasan Lika dhe me lojtarë mjaft të njohur në përbërje si Ylli Shehu, Ilir Shulku, Adnand Ocelli, Edmond Dosti, Nikolin Çoçlli, Artan Bano e të tjerë. Partizani mund t’i kishte mbyllur llogaritë e titullit edhe më parë, por duket se e kanë lënë gjithçka për derbin me Tiranën, ku tifozëve të kuq do t’u shijonte edhe më shumë ky titull i munguar prej më shumë se dy dekadash.


Foto e Partizanit të sezonit 1992-1993, që fitonte titullin e fundit, e publikuar në faqen zyrtare të klubit të kuq

Trajneri Skënder Gega do të ketë kënaqësinë ta fitojë titullin edhe si trajner i Partizanit, pasi e ka bërë si lojtar, ndërsa emra si Alban Hoxha, Jasir Asani, Egzon Belica, Bruno Telushi, Esat Mala, Lorenc Trashi e të tjerë, do të hyjnë në historinë e klubit të kuq. Pasditja e së dielës duket perfekte për zyrtarizimin e titullit. Aty, në shtëpinë e rivalit historik, Tiranës. Kapiteni i ekipit kundërshtar, Erando Karabeci, i cili nuk po luan për shkak dëmtimi, ka thënë se Tirana do të bëjë gjithçka që të mos e lejojë Partizanin të festojë, por bardheblutë kanë një “jetë” që nuk fitojnë në derbi dhe pak shanse kanë të bëjnë edhe këtë radhë, pavarësisht mungesave të të kuqve.

Partizani mund të festojë titullin zyrtar edhe me barazim në derbi, nëse Kukësi nuk fiton në Gjirokastër me Luftëtarin. Mund të festojë edhe me humbje, nëse Kukësi humb, sepse diferenca e pikëve, 3 javë para fundit të kampionatit, mbetet 10 pikë, sa është aktualisht, para ndeshjeve të javës së 33-të të Superiores. Shanset për kurorëzimin zyrtar të Partizanit janë vërtet të mëdha, ndaj dhe në kampin e kuq po bëhen gati për festën e dyfishtë në derbi, që do të ishte një “plagë” në trupin e Tiranës rivale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë