Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Merezhko, i është përgjigjur kërcënimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas të cilit, “Ukraina do të humbiste gjithçka nëse e njeh Kosovën”.
Kreu ukrainas i komisionit të jashtëm, nëpërmjet një postimi në X (Twitter) komenton se ishte tronditur nga mënyra krejtësisht e papranueshme, jodiplomatike me të cilën presidenti i Serbisë i paraqiti kërcënimet e tij.
Ai tha se nuk i takon presidentit serb që t’i tregojë Ukrainës se çfarë duhet të bëjë me Kosovën.
“Jam tronditur nga mënyra krejtësisht e papranueshme, jodiplomatike në të cilën presidenti i Serbisë i ka paraqitur kërcënimet e tij sepse ajo që kemi janë kërcënime, madje edhe shantazhe absolutisht të papranueshme. Kështu e perceptoj unë deklaratën e tij për ne.
Shtetet e tjera tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, duke përfshirë edhe aleatët tanë më të afërt. Jam i sigurt se është e drejta jonë sovrane të vendosim nëse do ta njohim apo jo. Dhe nuk i takon zotit Vuçiç të na mësojë apo të na diktojë se çfarë të bëjmë apo të na kërcënojë.
Kjo është absolutisht tronditëse dhe e papranueshme. Për sa i përket njohjes, sipas Kushtetutës sonë, kjo është prerogativë e Presidentit tonë, sepse Presidenti është përgjegjës për udhëheqjen e politikës së jashtme, duke përfshirë çështjet e njohjes”, tha ai.
Pak ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Ukraina “do të humbë brenda ditës gjithçka që ka në dorë”, nëse njeh pavarësinë e Kosovës.
Ai pretendoi madje se Ukraina do ta humbte plotësisht besueshmërinë e vet politike brenda ditës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.