Futboll

Zyrtare, Skënderbeu afron mesfushorin malazez

Në heshtje dhe pa shumë bujë, por Skënderbeu vijon të jetë në merkato, duke bërë disa goditje shumë të studiuara. Këtë herë klubi korçar ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit malazez Idriz Toskiç, i cili duke filluar nga kjo e mërkurë është pjesë e Skënderbeut.

23-vjeçari së bashku me presidentin Ardjan Takaj kanë firmosur kontratën që e lidh për 1 vit e gjysmë me klubin bardhekuq. Në njoftimin zyrtar të këtij transferimi, klubi korçar shkruan se Toskiç ka mbërritur ditën e djeshme në Korçë ndërkohë që sot u bashkua me grupin në stërvitje në seancën e parë përgatitore në kuadër të takimit ndaj Partizanit
Malazezi luan në qendër të mesfushës dhe është afrimi i 3-të në merkaton e janarit pas Asanit dhe Taipit.

Në bazë të pritshmërive, Idriz Toskiç pritet të jetë një vlerë e shtuar për qendrën e mesfushës korçare. Toskiç është i formuar si futbollist në Itali në akademinë e klubit të Barit. Për disa sezone ka luajtur në kategoritë e ulta në Itali dhe vitin e fundit ishte pjesë e Botev Vratsa në Bullgari. Me këtë afrim të Toskiç, besohet se merkato e Skënderbeut është e mbyllur për këtë janar dhe ekipi duket i kompletuar për pjesën e mbetur të sezonit. Ndërkohë sa i përket shitjeve edhe pse ka pasur disa lajme për futbollisti të ndryshëm ende nuk është bërë ndonjë lëvizje deri në këto momente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë