Futboll

Zyrtare, Roma firmos me trajnerin e ri

Tashmë është zyrtare, Roma do të ketë trajner të ri për sezonin e ardhshëm, Paulo Fonseka. Zyrtarizmi i teknikut portugez është bërë nga vetë klubi roman përmes faqes zyrtare në internet, ku njofton se Fonseka do të jetë në krye të Romës për dy sezonet e ardhshme. "Jemi të lumtur për t’i uruar mirëseardhjen Paulo Fonsekës" tha Presidenti Jim Pallotta. "Paulo është një trajner i ri dhe ambicioz. Vjen me një përvojë ndërkombëtare, mentalitet fitues dhe është i njohur për idetë e tij të guximshme të futbollit që do të nxisin tifozët tanë".

Ndërsa vetë tekniku 47-vjeçar në fjalët e tij të para si trajner i Romës është shprehur shumë i emocionuar. “Jam shumë i lumtur për këtë aventurë të re si trajner i AS Roma dhe dëshiroj të falënderoj të gjithë menaxhmentin e klubit për mundësinë që më ka dhënë. Jam entuziast dhe i motivuar për sfidën që më pret. Mezi pres që të shkoj në Romë, të takohem me tifozët tanë dhe të fillojmë punën. Besoj se së bashku do të jemi në gjendje të krijojmë diçka të veçantë.”- ka thënë portugezi.

https://twitter.com/OfficialASRoma/status/1138355355245785088

Fonseka është pjesë e një brezi të ri trajnerësh me ide ndryshe për futbollin. Ai e ka nisur karrierën e tij si trajner në Portugali, ku ka qenë në krye të Portos dhe Bragës. Me këto dy ekipe ka fituar një Kupë dhe një Superkupë Portugalie. Më pas kaloi në Ukrainë, ku pati gjithashtu disa suksese kombëtare dhe krijoi një ekip që luante bukur.

Tashmë në krye të Romës, portugezi ka detyrën e vështirë të ngrejë një ekip nga e para, pas dështimit të projektit Di Françesko që një vit më parë krijoi shpresa të mëdha në ambientin roman. Pas zyrtarizmit të trajnerit të ri, Roma pritet të fillojë edhe me merkaton, ku priten një sërë largimesh dhe afrimesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë