Shendet

Zyrtare / Nga 1 nëntori, doza e tretë për +60. Nis vaksinimi për fëmijët +16 vjeç dhe ata me probleme imuniteti

Komiteti Teknik i Ekspertëve zyrtarizoi vendimin për vaksinimin e popullatës +60 vjeç pasi të kenë kaluar 6 muaj nga dy dozat e para dhe ftoi fëmijët mbi 16 vjeç që të marrin vaksinën anti-Covid-19. Gjithashtu që prej datës 1 nëntor kur këto vendime do të hyjnë në fuqi mund të vaksinohen edhe fëmijët e grup moshës 12-15 vjeç që kanë sëmundje të cilat ulin imunitetin. Zëvendësministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli shpjegoi se vaksinimi i fëmijëve do të kryhet në bazë të pëlqimit të prindërve, rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe rekomandimet e mjekëve pediatër e të familjes.
Rakacolli tha se në situatën që jemi masat parandaluese të përhapjes së infeksionit nuk do të ndryshojnë.
“Duke u bazuar në analizën e situatës komiteti i ekspertëve mendon që megjithëse ka përkeqësim të situatës niveli i masave shtrënguese të mbetet i njëjtë. Komiteti tërheq vëmendjen në zbatimin me rigorozitet të masave”, tha Rakacolli.
Në një pasqyrim për situatën epidemiologjike në vend drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico tha se ka një rritje të rasteve aktive totale përgjatë dy javëve të fundit. Sipas Ficos, incidenca është 222 raste për 100 mijë banorë.
“Numri i bashkive të prekura është rritur. Raporti meshkuj-femra mbetet sërish 48% dhe 52%. Mesatarja 2 javore e rasteve të rënda të shtruara në spitale, është 20. Raporti i numri të fataliteteve është 1.6%,” shtoi Fico.
Më tej Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino shpjegoi situatën e vaksinimeve në vend, ku deri më tani janë kryer 1.8 milion vaksinime. Ekspertja theksoi se ka një rritje të vaksinimeve në grupe moshat 18-25 vjeç, pavarësisht se mbulesa mbetet e ulët në këtë grup moshë.
“Ka një rritje të përdorimit të vaksinës Pfizer që po i afrohet përdorimit të vaksinës Coronavac. Bashkitë të cilat kanë mbulesë të lartë vaksinale janë Gjirokastra, Tepelena. Bashki që ka ecur mjaft mirë kohët e fundit është edhe ajo e Pukës”, shtoi Bino.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë