Futboll

Zyrtare, Laçi gjen sulmues në Afrikë

Në këtë javë të fundit të merkatos së dimrit edhe klubet shqiptare janë duke nxituar që të mbyllin hapësirat e lëna bosh dhe të bëjnë goditjet finale. Pas Skënderbeut dhe Partizanit që bënë dje zyrtarizimet e tyre, këtë herë ishte radha e Laçit që të prezantojë afrimin e radhës në merkato.

Klubi kurbinas ka firmosur me sulmuesin afrikan, Antoni Okpotu. Futbollisti nga Nigeria është 24 vjeç dhe në sezonin e fundit ishte pjesë e ekipit Difa El Jadida në kampionatin maroken. Okpotu besohet të jetë një goditje shumë e rëndësishme për Laçin, duke parë moshën e tij dhe karrierën e deritanishme. 24-vjeçari ka një vlerë prej 175 mijë eurosh në treg sipas “Transfermarket” dhe tek Laçi ka ardhur në formën e huazimit.

Në planet trajnerit Besnik Prenga, sulmuesi nigerian është i projektuar si titullar për pjesën e mbetur të sezonit. Sulmuesi është pjesë edhe ekipit përfaqësues të Nigerisë, ku ka luajtur 6 ndeshja dhe ka shënuar 2 gola. Me këto shifra dhe të tillë karrierë, tashmë mbetet vetëm për t’u parë se si sulmuesi nigerian do të përshtatet në kampionatin shqiptar, pasi kohën në dispozicion do e ketë shumë të kufizuar.

Dy fazat e para të këtij kampionati Laçi i mbylli në vendin e 5 me 30 pikë. Kurbinasit kërkojnë Europën këtë sezon qoftë prej kampionatit, por edhe prej Kupës pavarësisht se dje u mposht nga Bylisi në ndeshjen e parë të 1/8-ve të këtij kompeticioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë