Kosova

Zyrtare: Kurti dhe Vuçiç takohen më 15 qershor

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor. Lajmi u bëi ditur nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ky do të jetë ky takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic, pas një sërë përplasjesh dhe akuzash në distancë.

Procesi i bisedimeve ka ngecur vjeshtën e vitit të kaluar, kur pala serbe ka hapur çështjen e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Përpara konfirmimit të datës për rinisjen e procesit, zyrtarët e të dyja palëve kanë vazhduar me deklarata kontradiktore në lidhje me këtë Asociacion.

Kurti ka thënë se nuk mund të formohet asnjë asociacion në Veri të Kosovës, ndërsa Vuçic ka thënë se Kurti nuk ka përse të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.

Kurti, në disa raste, ka thënë se takimi i tij me presidentin serb, nuk do të jetë vazhdim i dialogut, por “fillim i procesit të ri”. Megjithatë, BE-ja këmbëngul se gjatë procesit të dialogut do të flitet për të gjitha çështjet që janë hapur më herët.

“Të gjitha çështjet që janë diskutuar deri më tani dhe që do të diskutohen në të ardhmen brenda këtij dialogu të vazhdueshëm, janë thelbësore për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano javën e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë