Futboll

Zyrtare, Alegri largohet nga Juventusi pas 5 vitesh

Në ditën e tretë të bisedimeve mes drejtuesve të Juventusit dhe trajnerit Masimiliano Alegri, vjen edhe vendimi zyrtar. Alegri largohet nga ekipi bardhezi pas 5 vitesh. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit italian.


Palët nuk arritën akordin ditën e enjte dhe sot pritej një tjetër takim, por me një njoftim të fundit klubi i Juventusit ka zyrtarizuar ndarjen. Nesër është programuar konferenca e shtypit, ku trajneri do të dalë para gazetarëve bashkë me presidentin Andrea Anjeli dhe të dy do të japin më shumë detaje në lidhje me “divorcin”. Ndahen kështu rrugët e Alegrit dhe Juventusit pas 5 vitesh. “Masimiliano Alegri nuk do të jetë në stolin e Juventusit sezonin e ri, 2019/2020. Trajneri dhe presidenti Andrea Anjeli do të dalin nesër në konferencë shtypi”, - shkruhej në njoftimin e klubit bardhezi.

Andrea Anjeli dhe Masimiliano Alegri

Zgjatja e bisedimeve kishte të bënte me kushtet e trajnerit Alegri, i cili kërkonte nga drejtuesit e Juventusit shitjen e pesë futbollistëve big, Paulo Dibala, Zhoao Kanselo, Mario Manxhukiç, Aleks Sandro dhe Douglas Kosta. Drejtuesit e klubit kanë bindjen se kanë në ekip një grup të fortë futbollistësh dhe nuk mendojnë për revolucion. Kjo ishte edhe nyja, që nuk u zgjidh në favor të trajnerit, naj dhe ka ardhur vendimi për ndarjen mes palëve.

Tani drejtuesit e Juventusit duhet të intensifikojnë punën për gjetjen e trajnerit të ri. Emrat e përmendur deri tani nga shtypi italian janë Deshamp, Guardiola dhe Poçetino.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë