Sociale

Zv/presidenti Pence dhe bashkëshortja e tij do të testohen për koronavirus

Gjatë një konference për shtyp të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence deklaroi se ai dhe bashkëshortja e tij, Karen, do të kryejnë testin nisur nga fakti se një prej anëtarëve të stafit të tij rezultoi të ishte prekur nga virusi. "Nisur nga pozita unike që unë kam si Nënpresident dhe si drejtues i grupit task-force në Shtëpinë e Bardhë, unë dhe bashkëshortja ime do të testohemi më vonë gjatë ditës së sotme", tha Pence.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së në një konferencë nga Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë që të mos kërkojnë të bëjnë teste nëse nuk kanë simptoma të sëmundjes. Në këtë mënyrë ndihmojnë dhe vendin që të ruajë rezervat mjekësore për personat që kanë vërtetë nevojë.

Zëri i Amerikës raporton se më herët gjatë ditës Katie Miller, sekretarja e shtypit e Nënpresidentit tha se ai dhe Presidenti Donald Trump nuk kanë patur kontakte nga afër me personin që rezultoi të jetë i prekur nga virusi. Miller tha se zyra e Nënpresidentit ishte njoftuar të premten në mbrëmje mbi diagnozën. Në njoftim nuk përmendet emri i personin. “Po gjurmohen kontaktet e mundshme që ai ka patur bazuar në udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve”, tha zëdhënësja Miller. Pence është caktuar nga presidenti Trump, si drejtues i Task-Forcës për të përballuar lufën kundër koronavirusit.

Fillimisht zyra e nënpresidentit nuk iu përgjigj pyetjeve nëse ai do të testohej apo jo, përgjigje që e dha më vonë vetë publikisht vetë Pence. Ndërkohë javën e kaluar mjeku i Presidenti njoftoi se Trump rezultoi negativ pas testimit për koronavirus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë