Albin Kurti thotë se e ka marrë mesazhin e Bashkimit Europian për t’u ulur në dialog me Serbinë. Reagimi i Brukselit mbërriti fill pas deklaratës së kreut të Vetëvendosjes, që në fjalimin e fitores u shpreh se ky dialog nuk ishte prioritet i qeverisjes së tij.
Në një intervistë për AFP, kreu i Vetëvendosjes deklaroi se nuk është kundër bisedimeve, por tha se në tryezë me Serbinë do të ulet vetëm si i barabartë.
Kurti tha se bisedimet nuk duhet të përqendrohen rreth mënyrës se si “të kompensohet” Serbia për humbjen e Kosovës. “Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet t’i ndryshojë vendet tona për të mirë. Ne duhet të diskutojmë me Serbinë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfitues përfundimtarë”, tha Kurti.
Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në bisedime të drejtpërdrejta për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Kurti tha se do që ta ndryshojë drejtimin e bisedimeve. Ai tha se Beogradi premton njohjen e Kosovës në fund të negociatave, por kërkon koncesione maksimale ndërkohë.
“Ju merrni sa më shumë që mundeni, ndërsa premtoni një fund që nuk do të ndodhë. Kjo është arsyeja përse reciprociteti, barazia nuk mund të jetë rezultati përfundimtar (i bisedimeve), duhet të jetë pika fillestare dhe njerëzit duhet të jenë përfituesit përfundimtarë”, vijoi ai.
Në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të së dielës, partia e Kurtit ka fituar rreth 47 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 13 për qind.
Kurti, megjithatë, ka thënë se prioritet i qeverisë së tij nuk do të jenë bisedimet me Serbinë, por drejtësia dhe punësimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.