Futboll

Zidane kthehet te Real Madrid, firmos deri në vitin 2022

Një rikthim i bujshëm. Te Real Madrid është kthyer Zinedine Zidane, trajneri i tre Champions League radhazi me këtë skuadër, dyke hyrë në histori. Klubi madrilen e ka zyrtarizuar tashmë rikthimin në stol të trajnerit francez, i treti për këtë sezon, pas Julien Lopeteguit dhe Santiago Solarit.

“Këshilli drejtues, - shkruhet në komunikatën zyrtare të klubit spanjoll, - vendosi të zgjidhë kontratën me Santiago Solarin, të cilit i ka kërkuar të qëndrojë në klub. E çmojmë punën e tij. Klubi ka vendosur të emërojë si trajner të ri Zinedine Zidane për tre sezonet e ardhshme. Kontrata e tij nis menjëherë dhe skadon më 30 qershor 2022". Lajmi u dha fillimisht nga Josep Pedrerol, drejtori i “Chiringuito”, një gazetar i njohur për afërsinë që ka me presidentin e Realit, Florentino Perez. Më pas erdhi zyrtarizimi nga klubi madrilen. Zidane kthehet kështu në stolin e Realit, nga ku u largua verën e kaluar, pas Championsit të tretë.

Florentino Perez dhe Zinedine Zidane

Mbrëmjen e së dielës, pas fitores së vuajtur me Valadolidin, Emilio Butragenjo, drejtues i Realit, dha një intervistë, ku nuk e konfirmoi Solarin, edhe pse e quajti një "profesionist të shkëlqyer”. Dihej që argjentinasi i kishte ditët të numëruara dhe tani gjithçka ka marrë formë zyrtare. Drejtuesit e Realit nuk menduan për një trajner të përkohshëm, por risollën në klub Zinedine Zidane. Kandidat ishte edhe Mourinjo, por portugezi ka një karakter, që drejtuesit e klubit e shohin me dyshim, aq më tepër që ka dështuar në ekipet e fundit. Po ashtu, ka ndikuar edhe raporti i vështirë që Mourinjo ka me kapitenin Serxho Ramos.

Presidenti Florentino Perez e bindi trajnerin francez, duke i lënë dorë të lirë për të rindërtuar ekipin. Rrjedhimisht, Zidane ka “çek të bardhë” dhe mund të marrë lojtarët që dëshiron, ku të parët në listë janë Hazard he Ikardi. Pas fitimit të Championsit të tretë radhazi, Zidane kishte thënë se Reali kishte nevojë për ndryshim, një proces që tani i është besuar atij ta bëjë. “Kam refuzuar disa oferta, që të kthehesha në shtëpi, - theksoi Zidane pas emërimit. Pas 9 muajsh e gjysmë, Zinedine Zidane merr drejtimin e Realit. Nga ekipi i madh spanjol do të ketë largime, por edhe shumë afrime. Ndryshon situata për Iskon dhe Marselon, të cilët pritet të qëndrojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë