Para

Zhvlerësimi i rublës, Rusia rrit normën e interesit në 20 për qind

Banka Qendrore ruse dyfishoi normat e interesit, pas zhvlerësimit me 30 për qind të rublës vendase ndaj dollarit amerikan.

Vendimi është marrë këtë të hënë dhe norma e interesit shkoi nga 9.5 për qind në 20 për qind. Lëvizja e detyruar është ndërmarrë për të frenuar zhvlerësimin e monedhës vendase dhe ndikimin që ajo ka në rritjen e çmimeve.

SHBA, BE dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord për të shkëputur banka ruse nga tregjet financiare perëndimore. Çdo enti dhe institucioni perëndimor, publik apo privat i ndalohet hyrja në transaksione me Bankën Qendrore ruse, Ministrinë e Financave dhe me institucionet e tjera financiare të Moskës.

Rubla ruse shënoi një tjetër rekord zhvlerësimi në fundjavë pas lajmit se disa prej bankave të vendit do të përjashtohen nga sistemi ndërkombëtar i pagesave, SWIFT.

Të dielën, Banka Qendrore ruse bëri thirrje për qetësi dhe shmangie paniku, mes frikës së qytetarëve rusë që po boshatisin llogaritë e tyre bankare.

I vetmi lajm i mirë për Rusinë në gjithë këtë konflikt është ai se çmimi i naftës mbetet mbi 100 dollarë për fuçi. SHBA, BE dhe Britania e Madhe shkëputën një sërë bankash ruse nga SËIFT, si masa më e rëndë e ndërmarrë ndonjëherë kundër Moskës për luftën e nisur prej saj në Ukrainë.

Gjithashtu, asetet e Bankës Qendrore ruse u ngrinë. Një pjesë e konsiderueshme e rezervave valutore të Rusisë mbahen në Bankën Qendrore Europiane, pra janë subjekt i ngrirjes së tyre. Rusia ka varësi të lartë nga sistemi SWIFT për transaksionet që lidhen me shitjen e naftës dhe të gazit.

Javën e kaluar, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit, S&P e zhvlerësoi Rusinë në nivelin “Junk”, niveli më i ulët i mundshëm. Të njëjtën gjë pritet që të ndërmarrë këtë javë agjencia tjetër “Moody’s”.

Zhvlerësimi rrit në maksimum koston e kreditimit për ekonominë ruse. Megjithatë, Banka Qendrore në Moskë tha se ka të gjitha mjetet dhe burimet financiare të nevojshme për të ruajtur stabilitetin e sektorit financiar të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë