Treg

Zhvlerësimi i euros, Sejko: Fenomen normal, nuk ka sjellje spekulative

Nga Gazeta ‘SI’ - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se autoriteti që ai drejton nuk do të ndërhyjë në tregun e kursit të këmbimit për të forcuar euron. Sipas tij, ky është fenomen i përhershëm dhe normal, por këtë vit është intensifikuar më shumë, për shkak të investimeve të huaja, të ardhurat nga turizmi, rritje e eksporteve dhe remitancave.

Sejko tha edhe se tregu nuk ka sjellje spekulative ose faktorë psikologjikë të cilat të ndikojnë në kursin e këmbimit. “Ne kemi ndërhyrë në vitin 2018 në tregun e kursit të këmbimit pasi të gjithë këto kritere që përmenda, në atë vit plotësoheshin. Spread-et ishin zgjeruar, faktori psikologjik ishte i fortë dhe më kryesorja ishte që kursi në atë periudhë godiste inflacionin, pra ne ishim në një situatë deflacioniste dhe kërkonim të rrisnim inflacionin në nivelin 3%. Sot jemi në një situatë komplet të ndryshme, ne ndërhyjmë për rezervë, por nuk quhet ndërhyrje për kursin e këmbimit”, sqaroi Guvernatori.

Ai tha se në një situatë të tillë ka edhe sektorë që humbasin, referuar eksportuesëve, por ka edhe nga ata që fitojnë.

"Ne ndërhyjmë për të shmangur spekulimet dhe njëkohësisht për të mbrojtur inflacionin. Të gjitha këto kritere nuk plotësohen në këtë rast. Kalendari i ndërhyrjeve për të rritur rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë është i ditur nga tregu. Ndërkohë nuk shohim një sjellje spekulative në treg. Në këtë kuadër nuk mund të krijojmë një precedent ndërhyrjeje nga forcimi aktual i kursit të këmbimit, pasi kjo tregon realisht tregun e këmbimeve valutore. Ky është tregu real, këto janë prurje reale. Nuk kemi zgjerime spread-esh, nuk kemi asnjë arsye për të ndërhyrë.

Natyrisht që ne kemi një deficit tregtar, jemi ekonomi importuese. Në total, po ta shohim në nivel ekonomie, me shumë fitojmë sesa humbasim. Në këtë kontekst, njësoj si Ministria e Financave dhe Ekonomisë edhe ne do të marrim një kontakt të shpejtë me eksportuesit. Ka kontrata të cilat e fiksojnë kursin, ka instrumente financiarë të cilët përdoren nga kompanitë ndërkombëtarë edhe që janë të njohura.  Duke qenë se ne jemi institucioni financiar kryesor, kemi dhe eksperiencën dhe ekspertizën e nevojshme, jemi të gatshëm për t’i informuar dhe për t’i trajnuar të gjitha ato industri dhe ato biznese të cilat pësojnë një goditje nga efekti i kursit të këmbimit. Megjithatë dua të theksoj që kursi këmbimit aktual reflekton tregun, përcaktohet nga kërkesë- oferta. Dua të theksoj dhe njëherë që nuk është Banka e Shqipërisë ajo që përcakton kursin e këmbimit është tregu që e përcakton kursin e këmbimit”,- përfundoi Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë