Ekonomi

Zhvlerësimi i euros e TVSH e produkteve ulin eksportet e ushqimeve

Sabina Veizaj - Në muajin shkurt eksportet kanë shënuar rënie për të dytin muaj radhazi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për shkurtin rënia është regjistruar 5,4%. Kurse importet kanë shënuar rritje 8,1 %.

Ajo çfarë është shqetësuese është rënia e eksporteve në industritë e qëndrueshme; industritë përpunuese siç është ajo e materialeve të ndërtimit dhe fasonet. Gjithashtu edhe rënia e ritmit të rritjes së eksporteve ushqimore.

Në të njëjtën kohë, përsëri në muajin shkurt importet e produkteve agroushqimore kanë shënuar rritje, kur një vit më parë dhe në tre vitet e fundit importet kanë regjistruar rënie të qëndrueshme.

Alban Zusi, kreu i Qendrës Shqiptare të Eksporteve e shpjegon rënien e ekporteve të materialeve të ndërtimit me aplikimin e tarifës së rrugës së Kombit.

Alban Zusi, Qendra Shqiptare e Eksporteve

“Në përgjithësi i gjithë sistemi i tarifave të shërbimit për eksportet drejt vendeve të rajonit është i lartë. Shtoji edhe tarifën e rrugës së Kombit, është vlerë e shtuar kostoje në shpenzimet e bizneseve. Materialet e Ndërtimit eksportohen kryesisht në Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mal i ZI, etj. Automatikisht ka ulur eksportet.”- shpjegon Zusi.

Kurse rënien e eksporteve të fasonëve ai e argumenton me zhvlerësimin e euros dhe vështirësimi i gjendjes së bizneseve nga mosrimbursimi i TVSH-së.

Nuk kanë fuqi të përballojnë më, thotë Zusi duke vazhduar. “Siç është paralajmëruar nga ne përpara një viti, edhe këtu kemi thyerje të tendencës rritëse sepse eksportet fasone kanë 3-4 vite që janë në kurbë rritëse, kurse tani shkojnë mbrapsht. Tek ushqimet nuk është kthyer mbrapsht kurba, por ka rënie ritmi i rritjes së eksporteve. Ndërkohë që rriteshin me 20-25 % në vit, tani kanë ngelur tek 1,9 %.”

Ndërsa rritjen e importeve të produkteve ushqimore Zusi e shpjegon me Zhvlerësimin e euros, pasi produktet e importit janë më të lira dhe elementi i dytë që po i favorizon importet ushqimore ku në shkurt janë më të larta se në janar, sipas tij është e lidhur edhe me imapktin e TVSH-së së produkteve bujqësore.

Zusi parashikon që rritja e importeve në vazhdim do të thellohet më tej dhe nga ana tjetër do të vërejmë rënie të mëtejshme të eksporteve.

Në Shkurt 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë kurse importet e mallrave arritën vlerën 50 mld lekë. Deficiti tregtar i këtij muaji është 27 mld lekë, duke u rritur me 22,6 %, krahasuar me Shkurt 2018 dhe me 33,6 %, në krahasim me Janar 2019.
Në dymujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 44 mld lekë, duke u ulur me 6,3 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 92 mld lekë, duke u rritur me 1,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 47 mld lekë, duke u rritur me 9,1 %, krahasuar me 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë