Para

Zhvlerësimi i euros/ Depozitat u ulën me 14 mld lekë në prill

Nga Gazeta ‘SI’ - Kursimet e shqiptarëve në banka vazhdojnë të reduktohen nga muaji në muaj. Në prill, stoku total i depozitave ra me 1.1% , duke humbur rreth 14 mld lekë në një muaj. Stoku i kursimeve në bankë rezulton 1.25 trilion lekë, vlera më e ulët që nga gushti i shkuar.

Depozitat në lekë janë ulur me rreth 3 mld lekë nga marsi në prill, ndërsa ato në valutë me 8 mld lekë, dukuri që lidhet me zhvlerësimin e monedhave të huaja, kryesisht euros dhe dollarit dhe raportohen në lekë, duke e bërë më të dukshëm ndikimin e kursit të këmbimit në kursime.

Rënia e depozitave në lekë u ndikua si nga korporatat financiare dhe jo financiar ashtu dhe nga individët. Këta të fundit, ndonëse janë rritur normat e interesit të depozitave sërish nuk po i shtojnë kursimet në banka, “të joshur” nga kthimet më të larta në letrat me vlerë të qeverisë.

Në valutë, rënie pësuan kryesisht depozitat në valutë të individëve, ndërsa ato të korporatave shënuan rritje.

Gjithsesi, rënia e depozitave në raport mujor mund të jetë edhe tërheqje e parave nga konsumatorët. Të paktën një sjellje e tillë po ndodh në Europë dhe SHBA, ku çmimet e rritura po kërcënojnë aftësitë paguese të qytetarëve.

Por në bazë vjetore, depozitat në bankat shqiptare janë rritur me 2.1%. Ndonëse marsi dhe prilli sollën një forcim të pazakontë të lekut, depozitat vazhdojnë të dominohen nga valutat, 56.7% të totalit.

Kursimet në valutë vijojnë të jenë më të preferuara, duke zënë në prill 2023, nga 56.2% në të njëjtin muaj të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë