Gazeta Si – Mesfushori italo-brazilian ndryshon skuadër, por jo qytet. Ai mbetet në Londër, tashmë me fanellën e Arsenalit, pasi trajnerit i Çelsit, Poter, nuk kishte më besim te 31-vjeçari.
Arsenali ka zgjedhur lojtarin me përvojë për të forcuar mesfushën. Kështu Zhorzhinjo lë Çelsin, ku ishte transferuar në 2018-ën, për të kaluar te ‘Topçinjtë’. Akordi mes dy klubeve është arritur orët e fundit mbi bazën e rreth 15 milionë eurove. Pritet vetëm zyrtarizimi i kontratës që e lidh mesfushorin me Arsenalin deri në 2024-ën.

Zhorzhinjos i përfundonte kontrata në fund të sezonit dhe ishte e sigurt se ai do të largohej nga Çelsi. U fol për një rikthim në Itali, te Napoli, apo edhe për një kalim te Barcelona, por lojtari i kombëtares italiane preferoi të qëndrojë në Premier Ligë.
Ai largohet nga Çelsi pas 143 ndeshjesh dhe 21 golash të shënuar, 19 nga të cilët me penallti. Në 2021-shin fitoi Ligën e Kampionëve me ‘blutë’.
‘Topçinjtë’ prej kohësh po kërkonin një mesfushor dhe ishte fokusuar te Moises Kaisedo, 21-vjeçari që shpërtheu këtë sezon, por Brajtoni refuzoi tre oferta të Arsenalit, e fundit 80 milionë euro. Pastaj klubi londinez kaloi me shpejtësi te pista e Zhorzhinjos, që shihet si një garanci.

Një goditje të rëndësishme po tenton të bëjë në minutat e fundit edhe Barcelona. Në Spanjë janë të bindur se katalanasit do të marrin Sofian Amrabat nga Fiorentina. Sipas ‘Marca’-s, mesfushori maroken, që shkëlqeu në Botëror, do të jetë ‘bomba’ e Barcelonës. Klubi katalanas i ka propozuar Fiorentinës huazimin me të drejtë blerjeje për shifrën e 35 milionë eurove.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.