Futboll

Zhgënjim total, futbolli shqiptar i padenjë për Europën

Europa ia ka mbyllur dyert futbollit shqiptar që në turin e parë eliminator. Skuadra tona kanë zhgënjyer totalisht dhe janë eliminuar nga dy kompeticionet e saj. Mbijeton vetëm Partizani, që falë formulës së kompeticioneve europiane kalon në Ligën e Europës, pas skualifikimit nga Liga e Kampionëve.

Paraqitje mjaft e dobët e tri skuadrave pjesëmarrëse në Ligën e Europës. Kukësi, Teuta dhe Laçi i kanë “larë duart” që në turin e parë, duke treguar se futbolli ynë ka prometika të mëdha. Gjithçka reflektohet qartë në Europë, ku futbolli ynë del “zbuluar”. Kukësi barazoi 1-1 me Debrecenin në “Elbasan Arena”, ndërsa në ndeshjen e parë kishte humbur thellë, 3-0. Është ekipi që ka investuar më shumë dhe sërish nuk ia ka dalë. Goli i vetëm i kuksianëve në 180 minutat ndaj hungarezëve u shënua nga Valon Et’hemi.

Kukësi feston golin e Et'hemit

Teuta regjistroi fitoren e vetme të skuadrave shqiptare në Europë, në 8 ndeshje të luajtura. Mundi 1-0 Ventspils, me gol të Sherif Kallakut, por ishte një fitore e hidhur, sepse humbja 3-0 në ndeshjen e parë në Letoni ka sjellë eliminimin e durrsakëve. Laçi u mund 1-0 nga Hapoel Ber Sheva në Izrael, por të paktën djemtë e Sulejman Starovës mbetën në lojë deri në fund, pasi një gol mund ta çonte kualifikimin në shtesë, ngaqë ndeshja e parë ishte mbyllur në barazim, 1-1.

Zhëgnjimin i madh në Kupat e Europës, ku stadiumet tona kanë qenë të boshatisur, si në Durrës, ashtu edhe në Elbasan. Ndoshta tifozët e dinë se në çfarë gjendje është futbolli ynë dhe as ata nuk denjojnë ta shohin nga afër. Pas eliminimeve të shpejta, ata që rrezikojnë më shumë janë trajnerët, veçanërisht te Kukësi dhe Teuta. Tani mbetet që të gjithë të bëjnë tifo për Partizanin, duke shpresuar që kampionët e Shqipërisë të bëjnë diçka të mirë në Ligën e Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë