Futboll

Zhegrova në radarët e Milan, Ujkani: Me Gatuzon do bëhej burrë

Prej disa ditësh lajmi që ka mbërthyer mediet shqiptare dhe ato kosovare është interesimi për talentin Edon Zhegrova nga gjigandët italian të Milanit. Talenti 19-vjeçar që aktualisht luan me Genk në kampionatin belg, duket se prej kohësh është ndjekur nga agjentët e Milan dhe këtë merkato ose atë të janarit mund të nisë sulmi për ta çuar atë në “San Siro”.

Zhegrova ka tërhequr vëmendjen e Milan, por edhe të disa ekipeve të tjera të mëdha në Europë me paraqitjet e tij te Genk, por edhe ato me Kosovën, ku në disa ndeshje ai luajti titullar dhe bëri mjaft mirë. Mendohet se Milan ka nisur kontaktet e para me agjentët e Zhegrovës, pasi i druhet një shpërthimi të tij në pjesëne dytë të sezonit, që do të fuste në garë edhe ekipe më të mëdha në Europë çka rrjedhimisht do i rriste edhe çmimin “yllit” kosovar.

I cilësuar si “Mesi i Kosovës” për shkak të klasit me topin dhe shpejtësisë, Zhegrova më herët është vëzhguar edhe nga emisarë të Barcelonës. Për kalimin e mundshëm të Edon Zhegrovës në Serinë A te Milan, ka folur edhe portieri kosovar, Samir Ujkani. Gardiani që tashmë luan në kampionatin turk me Rizespor, duke folur për “tuttomercato.web” ka thënë që kalimi i Zhegrovës në Serinë A do e rriste shumë profesionalisht.

“E mbështes pa asnjë dyshim. Është i ri ka një talent shumë të madh që unë e kam parë vetëm te Dybala. Shpresoj që Milan të gjejë një akord me të. Në fushë ende është një fëmijë, por me Gatuzon trajnerë mund të bëhej burrë. Është një trajnerë që do e ndihmonte shumë. Ai vërtet është Mesi i ri i Kosovës, siç e thërrasin ndryshe.”- tha Samir Ujkani.
Edon Zhegrova spikati që në sezonin e shkuar me Genk. Ai u kërkua nga kombëtarja shqiptare, por në fund talenti 19-vjeçar zgjodhi të luaj për përfaqësuesen e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë