Zbardhen detaje të reja nga zhdukja e biznesmenit italian në Shqipëri, Davide Pecorelli.
Sipas mediave italiane, nga hetimet e autoriteteve fqinje janë zbuluar tre elementë të rëndësishëm lidhur me zhdukjen e biznesmenit.
Së pari, partnerja e tij shqiptare, me të cilën Davide kishte një djalë, ia ka besuar çështjen avokatit Giancarlo Viti, i cili përfaqëson atë dhe të miturin si palë të prekura në këtë situatë.
Elementi i dytë i referohet ADN-së dhe mosrespektimit të afateve në lidhje me dërgimin e tyre në Itali.
Mediat italiane shkruajnë se mostrat e ADN-së së Pecorellit nuk kanë arritur ende për të bërë krahasimin me ADN-në e vëllait të tij, Antonello. Prandaj, sipas medias italiane, informacionet nuk vijnë në kohën e duhur nga policia shqiptare.
Së treti, ditët e fundit është bërë publike dëshmia e një miku të tij, i cili tregonte se Pecorelli ishte entuziast për biznesin e tij në Shqipëri. Megjithatë dje është bërë i ditur se bashkëpunëtorët e tij të mundshëm shqiptar, e kishin vizituar atë në Itali.
“Unë u takova me Daviden në fund të vitit, duke folur për punë dhe ai konfirmoi interesin e tij për të gjetur partnerë në Shqipëri në mënyrë që të prodhonte mallra me markën ‘Hairdressers Milan’. Por jo vetëm kaq sepse midis tetorit dhe nëntorit, nga sa kam mundur të kuptoj, këta ‘partnerë’ të mundshëm kishin ardhur në Itali dhe në fakt ai më kishte thënë një mbrëmje se kishte një takim të rëndësishëm”, mësohet të jetë shprehur miku i tij.
Ngjarja
Davide Pecorelli mbërriti në Tiranë ditët e para të vitit. Në aeroport, ai mori me qira një makinë Skoda Fabia, që u gjet më 7 janar e shkrumbuar përgjatë rrugës Gjegjan-Reps në Pukë. Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende.
Sipas mediave italiane, nga ky moment nisën menjëherë kërkimet për Pecorelli-n, ndërsa ambasada shqiptare në Tiranë njoftoi të afërmit e tij dhe autoritetet policore. “Gjatë këtyre ditëve, në Tiranë janë sjellë edhe objekte të tjera në pronësi të sipërmarrësit, për të krahasuar ADN-në e tij, ndonëse nuk është ende e qartë nëse makinë janë gjetur pjesë njeriu”, do të shkruante media italiane “La Nazione”.
Deri më tani fati i biznesmenit italian është ende i panjohur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.