Futboll

Zhbllokohet Salah, Liverpuli shkon +2 nga Mançester Siti

Gara e fortë për titullin kampion në Premier League. Liverpuli ka ndërruar sërish vendin me Mançester Sitin rival. Në ndeshjen e javës së 33-të të kampionatit anglez ndaj Southemptonit, skuadra e drejtuar nga trajneri Jurgen Klop, ka fituar me përmbysje, 1-3, duke u ngjitur në kuotën e 82 pikëve.

Ishte Long ai që kaloi ekipin vendës në avantazh, por Liverpuli barazoi që në pjesën e parë me Nabil Keita, i cili gjuajti saktë me kokë Brenda zonës. Trajneri Klop ndërhyri nga stoli në pjesën e dytë, duke hedhur në fushë “veteranët” Xhejms Milner dhe Xhordan Henderson. U duk se ndeshja po shkonte drejt barazimit, por 10 minuta para fundit, Mohamed Salah gjeti golin pas 8 ndeshjesh “thatësirë”, duke llogaritur edhe Championsin. Sulmuesi egjiptian realizoi pas një aksioni të bukur indidual dhe çliroi ekipin e tij. Në fundin e ndeshjes, Henderson vulosi fitoren me golin e tretë, duke kaluar në delir tifozët e Liverpulit.

Mohamed Salah feston golin ndaj Southemptonit

“Të kuqtë” janë shkëputur tashmë 2 pikë nga Mançester Siti i Pep Guardiolës, që ka një ndeshje më pak, por presioni tashmë kalon te “qytetarët”. Lufta për titullin do të jetë shumë e fortë mes dy skuadrave që vazhdojnë ende edhe në Champions League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë