Futboll

Zgjim më 5:30, pa dushe dhe pa celular: ferri i ekipit gjerman në Alpe

Ka disa trajnerë, të cilët në vend të stërvitjes në palestër preferojnë aktivitete të ndryshme, si ecja në mal, për shembull, apo edhe raftingu. Tek Augsburgu, ekip i Bundesligës në Gjermani, çështjen e përgatitjes në terren të hapur duket se kanë si shumë seriozisht…

Është e qartë se në përgatitjet para kampionatit futbollistët duhet të marrin formën e duhur fizike për të përballuar sezonin. Ka trajnerë që zgjedhin të punojnë fort në sallat e palestrës, të tjerë zgjedhin stërvitjen në ajër të pastër, që sipas specialistëve i ndihmon futbollistët të kenë lidhje më të fortë mes tyre. Kështu ka bërë edhe trajneri Jurgen Klop në fillimet e karrierës së tij, kur e çonte ekipin e Maincit në “Pyllin e zi” për kamping. Siç kanë treguar më pas shumë lojtarë që ai ka stërvitur, i fundit Marko Rojs, ky vend i ndihmonte për të gjeneruar fuqitë dhe për të krijuar një atmosferë hipnotizuese, sipas tyre.

Ekipi i Augsburgut në Alpet e Zvicrës

Pak a shumë këtë strategji ka edhe stafi teknik i Augsburgut. Sipas asaj që shkruan “Marca”, trajneri Martin Shmid ka vendosur t’i çojë të tijtë në mal, por jo në një vend grumbullimi edhe aq komod, ku mund të punohet në freski dhe ajër të pastër. Ai ka zgjedhur Alpet e Zvicrës, një zonë që ai e njeh mjaft mirë, pasi është zviceran. Më shumë se përgatitjet para një sezoni futbollistik, skuadra gjermane duket sikur po bëhet gati për një udhëtim në Himalaje.

Lojtarët e Augsburgut duke ecur në mal

Një ferr i vërtetë, ku futbollistët nuk kanë as komoditetet bazë. Nuk ka dushe. Kush do që të lahet, ka lumenjtë apo përrenjtë aty afër. Celular? As që bëhet fjalë, për më tepër që valët në atë lartësi nuk kapin. Dhe më keq akoma, futbollistët nuk kanë mundësi të zgjohen nga gjumi me qetësi, sepse trajneri Shmid është absolutisht i rreptë. Zgjimi bëhet në orën 5:30 më në orën 6:00 nis ecja në mal. Nuk është rasti klasik i fazës përgatitore, që në idenë e trajnerit është periudha kur futbollistët duhet të forcohen fizikisht. Të shohim sa do të funksionojë, por pas një vere të tillë, edhe Bajerni i Mynihut nuk do të jetë një mal i pakalueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë