Politike

Zgjedhjet, si ka nisur fushata. Nga Rama në plan të parë, tek Basha në hije dhe “lufta” e përplasjeve

 Si asnjëherë tjetër, fushata e herët parlamentare e 2021-it po parasheh një reagim cinik ndaj çfarëdo gjëje që të “ushqen” sondazhi i javës, duke bërë që politika gjithnjë e më shumë të varet nga opinioni publik, që jo domosdoshmërish përfaqëson interesat e të gjithëve.

Kështu debati ka filluar me një garë të ethshme në të dyja kampet për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.

Kryeministri Edi Rama e ka kthyer në sfidë personale qyshkur vendosi të drejtojë qarkun e Durrësit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, aty ky pasojat e tërmetit janë ende të dukshme.

Rama inspekton shkolla sa në një cep qyteti në tjetër, për të thënë se gjithçka po shkon drejt jetës. Ndërsa Basha çon zyrtarët jo shumë larg një shkollë të rindërtuar, për të sjellë një tjetër të prishur. Rama shpërfaq punime shkollash shoqëruar me makete, PD i nxjerr po përmes fotosh pamje të tjera shkollash në gjendje të mjerueshme.

Rama vendos hudhra nëpër muret e shtëpive të rindërtuara pas tërmetit, PD-ja nxjerr Sadikun nga Durrësi, Albinën nga Lezha, Majlindën nga Thumana për të treguar se ata jetojnë ende në çadra pa zgjidhje nga shteti.

Foto e publikuar nga PD se si një qytetar ka mbetur ende pa strehë nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit

***

Kryeministri Rama radhit aktivitete bollshëm në ditë, diku duke përuruar një rrugë apo një shkollë, (si ajo e fundit në Lezhë) për të kaluar në Vorë ku njofton se është hapur një kantier Rindërtimi, për të shkuar në cepin tjetër, Koplik, aty ku sipas tij do ketë ujë 24 orë. Nuk vonon as PD-ja ku “Koplikut” të Ramës psh, ajo i mvesh problemin e Tiranës për ujin. Për të vijuar më pas tek thembra e Akilit, administrata, hambari i votave zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kryeministri Rama gjatë inpektimit të ujësjellësit të ri të Malësisë së Madhe

Një ditë shihet Taulant Balla me popull në rrethe ku thotë se PS-ja në garë është vetëm me veten, e ditën tjetër shihet Luçiano Boçi apo Luan Baçi i PD që flasin për plotësim formularësh me emra njerëzish nga administrata për të votuar për PS-në. “Çdo drejtues i drejtorive të Bashkisë duhet të gjejë 30 votues me nr tel dhe kartë ID ta regjistrojë dhe të dorëzojë...Çdo punonjës i administratës duhet të gjejë 20 votues me nr tel dhe me kartë ID”, thotë PD duke publikuar një formular tipik që duhet të dorëzohet.

Formular i publikuar nga PD, sipas së cilës, PS po ua shpërndan administratës për të mbledhur votues për zgjedhjet

***

Edi Rama e ka fokusuar fillimin e fushatës tek imazhi i tij pa dashur (si rrallë herë) që të margjinalizojë çështjet që shqetësojnë, ndërsa PD-ja ka gati kundërpërgjigjen.

Për arsimin, (pas lodhjes së Shahinit), Rama është vetë protagonist për të treguar se viti i ri shkollor është gati, edhe pse në kushte pandemie. PD i përgjigjet se masat nuk janë të zbatueshme, se duhet një strategji afatgjate dhe e mirëmenduar.

“Lufta” e qëndrimeve vijon me shëndetësinë dhe mënyrën se si qeveria po e përballon pandeminë.

Kryeministri Edi Rama nxjerr me video nënë Marianën për ta krahasuar eksperiencën e saj të shtrimit tek Infektivi me atë të një rezorti ku, sipas saj, ushqimi është perfekt, çarçafët bardh si bora dhe shërbimi si në hotel me 5 yje.

I përgjigjet PD-ja me video radhësh të njerëzve në pritje për tu informuar për të afërmit e shtruar, e deri kamera të fshehta se si nën dorë u jepen para stafit mjekësor për të mbajtur “mire” të shtruarit e tyre në spital.

Pra një fushatë përplasjesh ku njëra palë rreket të paraqesë një situatë “alla Gjermani e dytë”, e ku tjetra pretendon se gjithçka ka prekur fundin.

***

Ajo që dallon këtë parafushatë është mungesa e Lulzim Bashës, e cili për do taktika strategjike ka zgjedhur (deri me tash) që ai të jetë i dyti, dhe të vetët në plan të parë. Ai ka shpërndarë Vokshin në Durrës, Strazimirin në Kruje, Bardhin në Shkodër, Gjatën në Thumanë, Dumën në Tiranë, Salianin për denoncimet, Tabakun për ekonominë, Zhupën për punët e Tiranës, ndërsa vetë ai në hije, në pritje përcjellje takimesh në zyrë ende pa dalë në terren qysh prej fillimit të muajit Gusht.

E kundërta me kryeministrin Edi Rama. Në kërkim të një mandati të tretë, Rama po e drejton vetë qerrën e fushatës.

Kinse i ka lënë hapësirë Veliajt në Tiranë, ndërsa të tjerët, të gjithë pa fjalë në terren në takimet me popull.

Ramën e sheh të merret me shumëçka (deri edhe me andrrat e futbollit), i ndjekur ngahera nga një kamerë, për të përfunduar më pas aty ku çdo lider synon të dominojë; tek koha televizive e emisioneve kryesore në vend.

Në kësi rastesh, atij nuk i mungon as shkathtësia e mesazhit politik pavarësisht përmbajtjes

E bëri këtë gjë edhe të enjten duke e kaluar veten  (siç u shpreh ai) nga një “liman” në tjetrin në një hark kohor të bollshëm në dy televizionet kombëtare në vend fillimisht në Tv Klan tek Fevziu ku lajmëroi se do flasë “për peshkun që plasi” e po për të njëjtën çështje “për detin që u bë kos” në Top Channel tek Vasili. 

Rama dominoi më shumë së dy orë televizive “prime-time”  për marrëveshjen e Detit me Greqinë për të përcjellë tek shqiptarët të parenë e ditur se marrëveshje nuk kish ende.

Të tjerat pastaj tjerrje dhe lojëra fjalësh me histori peshku, karkaleci, gjinkalle, që do ketë shumë të ngjashme nga të dyja forcat politike deri me 25 prill...Pa harruar edhe "ngjalat” ngacmuese të LSI-së. Edhe ajo me një fushatë agresive në terren duke u përgatitur të dalë e vetme në zgjedhje, e me hedhje shashkash si ajo e tipit se Ilir Meta do të jetë “king-maker” i historisë politike të 26 Prillit, një ditë pas zgjedhjeve 2021.  N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë